Konferenca "Archives and Conflict Prevention: Lessons from the Past, Visions for the Future"

Prokurorja Hajdari: Nuk ka bashkëpunim rajonal për hetime të krimeve të luftës, Serbia nuk iu përgjigjet shkresave

Prokurorja për krime lufte në Kosovë, Drita Hajdari ka thënë se mungon bashkëpunimin mes vendeve të rajonit për hetimin e rasteve të krimeve të luftës në Kosovë.

Ajo ka thënë se gjithçka lidhet me statusin politik të Kosovës, duke shtuar se Prokuroria Speciale nuk merr përgjigje nga Serbia.

“E vetmja ndihmë është përmes zyrës së BE-së e ministrisë së drejtësisë. Serbia hesht dhe nuk përgjigjet në shkresat tona ose thonë se nuk është në bazë të qëndrimit të qeverisë së Serbisë” – ka thënë ajo,

Hajdari kështu ka bërë të ditur në konferencën me temën “Arkivat dhe parandalimi i konflikteve: Mësime nga e kaluara, vizione për të ardhmen”, e cila është organizuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).

Hajdari tutje ka thënë se Prokuroria Speciale ka pranuar të gjitha lëndët nga EULEX duke shtuar se në atë kohë kanë qenë 2 prokurorë, përderisa tani numri është dyfishuar.

Lidhur me mungesën e bashkëpunimit rajonal për këto raste ka folur edhe shefi i Divizionit Ekzekutiv, në EULEX, Lars-Gunnar Wigemark.

Ai, tutje ka thënë se Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit ka dorëzuar 400 raste aktive, shumica e të cilave të trashëguara nga UNMIK.

“Misioni ka dorëzuar 400 raste aktive, shumica ishin trashëguar nga UNMIK. Është shumë e rëndësishme të thuhet se nuk ka mjaftueshëm bashkëpunim rajonal. Këto ditë nuk jemi në kontakt me Serbinë pasi rastet nga vitit 2018 i kemi bartur të Kosova” – ka thënë ai.

Pjesë e panelit të parë të diskutimit në konferencën e organizuar nga BIRN ishte edhe Prokurori Prokurorisë Themelore të Malit të Zi, Vukas Radonjiq i cili ka folur për nevojën për ekspertë ndërkombëtar për hetimin e këtyre krimeve.

“Nuk kemi traditë në këto lloj të krimeve, kemi nevojë për asistencë dhe ekspertë ndërkombëtarë dhe të kuptohen krimet e luftës. Janë gjykuar edhe shtetasit e Malit të Zi. Kemi vështirësi për ekzekutim të këtyre dënimeve. Koha ndikon shumë edhe në kujtesë dhe shpesh nuk përshtaten dëshmitë dhe nuk mund të konfirmohen” – ka thënë ai.

Ndërsa, Ivan Matesiq, zëvendëskryeprokurori për Krime Lufte në Bosnje dhe Hercegovinë tha se në Bosnje janë ngritur numër i konsiderueshëm i aktakuzave lidhur me krimet e luftës.

“Ne i kemi akuzuar mbi 1,000 persona në prokurorinë e Bosnjës. Kemi marr dënime me mbi 3,500 vite Unë i kam akuzuar 26 persona në lëndët e mia. I kemi po ashtu 6 gra të ndëshkuara për krimet e luftës. I kemi mbi 370 prokurorë në gjithë Bosnjën” – tha ai.

Në këtë konferencë të BIRN Kosova për bashkëpunimin rajonal mes prokurorëve lidhur me krimet e luftës u potencua nevoja për besim më të madh në gjykata te vendeve tjera, nevojën për veprim para se të vdesin dëshmitarët dhe sfidat me numrin e prokurorëve.

Jeta Xharra bashkëthemeluese e BIRN-it në rajon dhe drejtoreshë e organizatës në Kosovë, tha se konferenca ka të bëjë me Bashkëpunimi rajonal mes prokurorive të rajonit, bashkëpunimi mes organeve të drejtësisë.