Prokurorja speciale Drita Hajdani, Foto: KALLXO.com

Prokurorja Drita Hajdari: Pas lirimit të të akuzuarve të 'Prontos' pata linçime nga shërbëtorët e këtij klani

 

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë”, prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari e cila ishte prokurore në rastin e njohur për publikun si rasti “Pronto”, në një intervistë tregoi rrjedhën e këtij rasti që nga fillimi.

Prokurorja Hajdani tregoi se në rast se Gjykata e Apelit vërteton vendimin e Gjykatës për lirimin e 11 të akuzuarve në rastin “Pronto” do të përdoren mjetet e jashtëzakonshme juridike.

“Menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit lirues kundër 11 të akuzuarve rë rastin “Pronto”, unë kam shprehur një zhgënjim me aktgjykimin lirues dhe kam paralajmëruar ankesën, herët është të thuhet se rasti ka dështuar sepse ende kemi të bëjmë me aktgjykimin e shkallës së parë dhe më pas ky aktgjykim kur të merret me shkrim do të nënshtrohet edhe në Gjykatën e Apelit. Ne si prokurori nëse nuk do jemi të kënaqur edhe me vendimin e Gjykatës së Apelit eventualisht po them do të shfrytëzojmë mjetet e jashtëzakonshme juridike”, tha Hajdari.

Prokurorja gjithashtu tha edhe se pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, menjëherë filloi linçimi nga siç i quajti ajo shërbëtorët e klanit “Pronto”.

“Ajo çka mua më zhgënjeu është ajo çka ndodhi pas shpalljes së aktgjykimit lirues. Menjëherë të premtën u aktivizuan shërbëtorët e klanit Pronto. Disa shërbëtor në petkat e shoqërisë civile, të cilët filluan një fushatë apo linqim kundër prokurorisë e sidomos kundër meje duke e analizuar aktakuzën duke e paraqitur këndvështrimin e tyre se si do të duhej të dukej aktakuza”, shtoi ajo tutje.

Mirëpo, Hajdari potencon se përveç atyre që janë kundër prokurores Hajdari, ajo ka përkrahjen e publikut në lidhje me këtë rast.

“Unë kam prit një përkrahje edhe mendoj se kam përkrahjen e shumicës së publikut, këta persona që përmenda janë në pakicë janë ndoshta katër pesë veta më së shumti të cilët i kanë disa probleme të mëhershme me prokurorinë dhe me mua personalisht dhe shfrytëzuan këtë rast për hakmarrje personale, mirëpo edhe në shërbim të klanit pronto”, shtoi ajo.

Gjykata e Prishtinës i ka liruar nga akuza të gjithë të akuzuarit në rastin e njohur si ‘Pronto’.

Gjykata e Prishtinës më 3 janar të këtij muaji shpalli aktgjykimin me të cilin liroi Adem Grabovcin, Besim Beqajn, Zenun Pajazitin dhe 8 të akuzuarit e tjerë në rastin e shumëpërfolur “Pronto”: Ilhami Gashin, Xhavit Dakajn, Fatmir Shurdhajn, Sadat Gashin, Ismet Nezirajn, Rexhë Abazin, Nijazi Kryeziun dhe Arbenita Pajazitin.

Gjykata kishte gjetur se nuk ka prova se të akuzuarit gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011, kanë komunikuar me zyrtarë të lartë për caktimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve në pozitën e kryeshefave ekzekutivë në bordet e drejtorëve në ndërmarrjet publike ‘’Trainkos’’, ‘’Infrakos’’, ‘’Hidro-Drini’’, ‘’Radoniqi-Dukagjini’’.

Sipas akgjykimit të shpallur në fillim të këtij viti, Gjykata ka konstatuar se nuk ka prova se të akuzuarit kanë kryer veprën penale – shkelja e statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës.

Grabovci, Beqaj, Pajaziti dhe të tjerët akuzoheshin se gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011 kishin emëruar në mënyrë të kundërligjshme në pozita udhëheqëse njerëz të afërt të tyre ose me partinë e tyre në ndërmarrjet publike “Trainkos”, “Infrakos”, “Hidro-Drini”, “Radoniqi-Dukagjini”, etj.

Pasi Prokuroria kishte ngritur aktakuzën për përgjimet e rastit “Pronto”, gjykimi  kishte filluar me 1 tetor 2018, ndërsa me 15 nëntor Grabovci, Beqaj, Pajaziti e 8 të akuzuarit e tjerë ishin deklaruar të pafajshëm.

Gjykimi në rastin e njohur si “Pronto” përfundoi me 12 seanca gjyqësore, pas 455 ditësh, ose 1 viti e 2 muaj e 29 ditë, pas ngritjes së aktakuzës.