Prokuroritë në Kosovë dhe Shqipëri bëhen bashkë për luftimin e krimit dhe korrupsionit

Prokuroritë në Kosovë dhe Shqipëri do të thellojnë bashkëpunimin duke shkëmbyer edhe informacione e dokumente për të luftuar krimin, korrupsionin, pastrimin e parave e financimin e terrorizmit.

Kështu u tha sot nga krerët e institucioneve të drejtësisë Kryeprokurorit të Kosovës, Aleksandër Lumezi dhe kryeprokurorit të Shqipërisë Arben Kraja, deri sa nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit.

Sipas Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, ky bashkëpunim do të ndihmoj  në liberalizimin e vizave e edhe në integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ai tha se bashkëpunimi i tillë ndërinstitucional do të ndihmoj në luftimin e dukurive negative të cilat po ndodhin në Kosovë duke përfshirë këtu edhe veprat penale.

“Kemi parë që krimi ndërkufitar është duke u paraqitur në forma të ndryshme edhe përmes zhvillimit të ndërmarrjeve dhe veprave penale të reja siç është pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit”, tha Lumezi.

Ai tregoi edhe se si do të veprojnë në këtë bashkëpunim me Shqipërinë.

“Ne e pranojmë këtë bashkëpunim me ndjenjën me të thellë, duke e arsyetuar besimin që na është dhënë për luftimin e krimit e korrupsionit. Ky bashkëpunim do të ndodh duke shkëmbyer të dhëna e prova për të zbuluar kryerësit e veprave penale”, shtoi Lumezi.

Kreu i Prokurorisë̈ së Posaçme të Republikës së Shqipërisë (SPAK), Arben Kraja tha se bashkëpunimi nuk ka munguar edhe më parë, por që tani me nënshkrimin e memorandumit do të ketë bashkëpunim më të thellë meqë do të shkëmbehen edhe informacione të cilat do të nevojiten për të zbuluar dhe luftuar krimin në këto dy shtete.

Në lidhje me rastin e konfiskimit të 400 kilogramëve kokainë javë më parë në Kosovë, dy krerët e drejtësisë Kosovës dhe Shqipërisë, nuk dhanë shumë detaje nën arsyetimin se rasti është ende nën hetime.

“Rasti i kokainës është në fazën e hetimeve, ende nuk mund të japim detaje. Në lidhje me këtë rast është duke u marrë ekskluzivisht Prokuroria Speciale e Kosovës, por normalisht që ka bashkëpunim sepse janë të përfshira tri shtete Kosova, Shqipëria e Italia”, tha Lumezi.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe Kryeprokurori i Prishtinës, Kujtim Munishi, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj por edhe përfaqësues të tjerë të Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri.