Arkiv - Seanca për vrasjen në AKI

Prokuroria zbardh rrethanat e vrasjes në AKI

Detajet e njërit nga rasteve më misterioze të vrasjeve në Kosovë janë bërë publike në aktakuzën e prokurorisë.

Vrasja e shtatorit të vitit 2018 që ndodhi brenda Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, sipas prokurorisë, u bë nga një punëtor i AKI-së që mbante armë pa leje.

I akuzuar në këtë rast është Valon Iberdemaj, i cili sipas prokurorisë, përveç se vrau një punëtor brenda AKI-së, rrëmbeu një punëtore tjetër duke tentuar të ikë nga vendi i ngjarjes.

Sot, në Gjykatën e Prishtinës, Iberdemaj ka thënë nuk ndihet fajtor për vrasjen dhe rrëmbimin. Iberdemaj megjithatë e pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje.

Aktakuza thotë se me datën 4 shtator 2018 rreth orës 09:15 min, në bufenë e objektit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, në Prishtinë, i akuzuari Valon Ibërdemaj kishte vrarë tani të ndjerin Isa Sejdiu.

Sipas prokurorisë, vrasja kishte ndodhur pasi që tani i ndjeri Isa Sejdiu, një ditë para vrasjes gjatë kohës së pauzës kishte bërë  shaka me kolegët e tij, duke u thënë se do të bëhej i madh pasi që atë ditë pritej të emërohej Zëvendësdrejtori  i AKI-së.

Sipas aktakuzës, motiv i kësaj vrasje ishte xhelozia që i akuzuari Iberdemaj e kishte ndaj tani të ndjerit Isa Sejdiu.

Gjithnjë sipas aktakuzës përderisa i ndjeri ishte në kuzhinë, i akuzuari Iberdemaj kishte shkuar me revolen ‘’CZ-M-57’’ të kalibrit 7.62 mm, e kishte thirrur në emër ‘’Isa’’ ndërsa i ndjeri i ishte përgjigju ‘’urdhëro xhaxh’’.

Në atë moment i akuzuari Iberdemaj kishte shtënë në distancë prej tre metrash, dy herë, në anën e majtë të gjoksit duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Sipas pikës dy të aktakuzës, i akuzuari Iberdemaj pasi kishte vrarë tani të ndjerin Isa Sejdiu, me qëllim që të ikë nga vendi i ngjarjes e ka rrëmbyer të dëmtuarën Florije Beqirin e cila ishte duke pirë kafe në oborrin e AKI-së.

Pasi që i akuzuari kishte dalur në oborr i ishte afruar të dëmtuarës dhe nën kërcënimin e armës e kishte detyruar që të shkojnë tek parkingu i AKI-së të hipin në veturë dhe pasi i akuzuari Iberdemaj i kishte vendosur armën pas kokës e kishte urdhëruar të njëjtën që makinën t’a ngasë në drejtim të portës kryesore.

Tutje në aktakuzë thuhet se pasi i akuzuari me të dëmtuarën Florije arrijnë te porta kryesore  dalin nga vetura duke ecur ashtu që i akuzuari e kishte mbajtur në qafë me njërën dorë ndërsa me tjetrën i kishte drejtuar armën.

Aty ata pengohen nga zyrtarët e sigurimit dhe aty i akuzuari Iberdemaj, sipas aktakuzës  u kishte thënë ‘’ e vrava shkoj çika’’ ndërsa zyrtari i sigurimit Shqiprim Shala i kishte thënë ‘’nëse dëshiron ta vrasësh dikënd, më vrit mua’’.

Ndërsa i akuzuari në ato momente i ishte drejtuar zyrtarit të sigurimit me emrin Emin duke i thënë ‘’vetëm ty ta dha armën’’ pastaj i është afruar i ka dhënë armën ku edhe është liruar tani e dëmtuara Florije Beqiri.

Sipas pikës tre të aktakuzës, Valon Iberdemaj ngarkohet edhe për armëmbajtje pa leje që nga koha e pacaktuar e deri me  datën 04 shtator 2018 për mbajtjen pa autorizim të 2 revoleve dhe një thike.

Më propozimin e mbrojtësit Besnik Berisha dhe prokurorit të rastit Ilaz Beqiri, gjykatësja Shpresa Hasaj- Hysaj e kishte aprovuar pranimin e fajësisë për armëmbajtje pa leje.

Me vendimin e gjykatës së datës 02.10.2019, i akuzuari Valon Iberdemaj gjendet në paraburgim deri me datën 04.12.2019.

Në gjykatë ishin edhe familjarët e të vrarit, Isa Sejdiu.

Në fund të seancës  pasi gjykatësja u largua në salla, këta familjarë i’u drejtuan të akuzuarit me fjalët ‘’ pse na e vrave vëllain’’, ‘’ I ke lënë tre fëmijë jetimë’’, ‘’ tash vraje edhe veten’’ e të tjera.

Më pas ata u shoqëruan nga zyrtarët policorë për largimin nga salla.

Seanca e radhës u caktua me 20 nëntor.