Foto: KALLXO.com

Prokuroria vazhdon hetimin për helmimin e zyrtarëve të KQZ-së

Prokuroria Themelore e Prishtinës po vazhdon hetimin për  rastin e 12 zyrtarëve të KQZ-së që dyshohet se janë helmuar nga zarfet me vota të ardhura nga Serbia, të dielën e 13 tetorit.

Sipas zëdhënëses së Prokurorisë Themelore,Laureta Ulaj, rasti ende është duke hetuar.

“Lidhur me çështjen e helmimit të zyrtarëve të KQZ-së, rasti është në procedurë e sipër”, është përgjigjur shkurtimisht Ulaj, pa dhënë ndonjë informatë më të hollësishme.

Ndërsa të hënën, 12 zyrtarët e helmuar të KQZ-së, u liruan nga Klinika Infektike në QKUK, ku ishin duke qëndruar pas reaksioneve alergjike që kishin pasur, pasi po verifikonin zarfet me vota të ardhura nga shteti i Serbisë.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Klinikës Infektive, Linda Ajazaj-Berisha, kishte thënë për Radio Evropa e Lirë se pacientët janë liruar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore.

“Gjendja shëndetësore, në momentin kur i kemi liruar pacientët, ka qenë e mirë. Ne i kemi përjashtuar sëmundjet apo shkaktarët infektivë. Me të tjerat mbetet të merren organet tjera të hetuesisë që kanë filluar me procedura”, kishte thënë Ajazaj-Berisha.

Zarfet nga Serbia – Lirohen nga spitali 12 pacientët