FOTO: KALLXO.com
Prokuroria urdhëron ndalimin për 48 orë ndaj të dyshuarit për sulmin me thikë në Ferizaj
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka urdhëruar ndalimin për 48 orë ndaj të një personi i cili dyshohet se plagosi katër persona me thikë në Ferizaj, pasditen e së hënës, më 11.11.2024.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e prokurorisë, Vjosa Baftiu, të martën më 12.11.2024,
Ndërkaq Baftiu thotë se ende nuk dihet për motivet e këtij rasti.
“Prokurori ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë dhe pritet që brenda afatit ligjor të bëj edhe kërkesën për paraburgim. Ende nuk dihet se cilat janë motivet e këtij rasti, hetimet në këtë drejtim janë duke vazhduar” – ka deklaruar Baftiu për KALLXO.com.
I dyshuari për vrasje të rëndë në tentativë në Ferizaj, është dorëzuar në Policinë e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit të sotëm (12.11.2024).
I dyshuari për këtë rast është 62-vjeçari, Fadil Islami.
Rasti i sulmit me thikë u bë ndaj katër persona, dy vajza të mitura dhe dy burra, në tri lokacione të ndryshme në Ferizaj.
Fillimisht, për shkak se iu është përshtatur profilit të të dyshuarit, Policia kishte arrestuar një person tjetër, i cili më pas me aktvendim të prokurorit është liruar.
Burime të KALLXO.com bëjnë me dije se i dyshuari për vrasje të rëndë në tentativë kishte qenë i dënuar për vrasje.
Siç bëhet e ditur, i dyshuari ka qenë i dënuar me burgim dhe siç mësohet nga burgu është liruar në shkurt të këtij viti.
Sipas Policisë, dy viktimat e mitura janë të komunitetit ashkali, ndërsa njëri prej burrave të lënduar është shtetas i Shqipërisë.
Tre prej katër personave që u therën me thikë në Ferizaj nga një person i moshës madhore po trajtohen në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Vajza rreth 10-vjeçare që u ther me thikë në Ferizaj në rrezik për jetë
KALLXO.com ka raportuar se sot, më 11.11.2024, një person ka therur me thikë katër kalimtarë të rastit, në Ferizaj.Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar për KALLXO.com se rasti ka ndodhur në rrugët “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci”.Sipas tij, rasti ka ndodhur në rrethana ende të pasqaruara.
Ferizaj, një person ther me thikë 4 kalimtarë të rastit