Prokuroria thotë se synon t’i thërrasë tre dëshmitarë në rastin e dytë ndaj Thaçit

Prokuroria synon t’i thërrasë të paktën tre dëshmitarë për të dëshmuar në gjyqin e Gjykatës Speciale kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe katër të dyshuarve të tjerë, të cilët akuzohen “për pengim të drejtësisë”.

Prokurori Joshua Hafetz tha, të martën, gjatë një seance për ecurinë e këtij procesi në Gjykatën e Hagës se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka një dëshmitar dhe synon të thërrasë edhe të tjerë për të dëshmuar në këtë rast.

“Ne synojmë t’i thërrasim tre dëshmitarë të paktën, duke përfshirë dëshmitarin që është i përmendur me emër dhe në bazë të të cilit është mbështetur dokumentacioni i aktakuzës.” – tha Hafetz.

ZPS-ja është mbështetur në dy deklarata të një dëshmitari për ta përpiluar aktakuzën kundër Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ngriti aktakuzë të re kundër Thaçit dhe të tjerëve në fillim të dhjetorit, duke i akuzuar ata për “përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës ‘Thaçi dhe të tjerët’”.

Gjykata Speciale është institucion që funksionon sipas ligjeve të Kosovës, por selinë e ka në Hagë të Holandës.

Gjatë seancës të hënën, gjykatësja Marzhori Maselo i pyeti Thaçin dhe Smakajn nëse donin të deklaroheshin rreth fajësisë, në lidhje me akuzat me të cilat ngarkohen, por ata nuk pranuan përsëri.

Kuçi, Kilaj dhe Fazliu janë deklaruar të pafajshëm në seancat e tyre fillestare javën e kaluar.

Në aktakuzë përshkruhen takimet që Thaçi ka zhvilluar me katër të akuzuarit e tjerë në Qendrën e Paraburgimit në Hagë dhe aty pretendohet se ai u ka dhënë udhëzime, se si të dëshmojnë dëshmitarët në rastin kundër tij./ REL