Njësia Speciale e Policisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Prokuroria: Të dyshuarit për kontrabandë me armë ishin nën vëzhgim të Policisë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve I.M., V.I., N.G., B.S., S.S., F.H. dhe N.A., të dyshuar për tri vepra penale – shitblerje të paautorizuar të armëve, tregti e ndaluar dhe pjesëmarrje ose organizimi i grupit të organizuar kriminal.

Sipas aktakuzës, të pandehurit I.M., V.I., N.G., B.S., S.S., F.H. dhe N.A, që nga periudha e panjohur kohore, deri më 21 mars 2019, në vazhdimësi, duke vepruar si grup i organizuar kriminal i udhëhequr nga të pandehurit V.I. dhe I.M. kanë transportuar, ndërmjetësuar dhe shitur armë në mënyrë të paautorizuar dhe kanë blerë dhe shitur mallra për të cilat nuk kanë pasur autorizim

Sipas akuzës, i pandehuri V.I. fillimisht kishte siguruar 25 pako me armë të llojit ‘’Glock Austria’’ dhe ‘’Sig Suer’’,  nga një person tani për tani i panjohur, të cilat i ka vendosur në njërën nga zyret e lokalit të tij në Fushë-Kosovë, si dhe, disa pako me medikamente të llojeve të ndryshme me përmbajtje të substancave narkotike (metamorfinë) si Tamol XX, të cilat i kanë siguruar të pandehurit N.G., dhe B.S.

Pas dy-tre ditësh i pandehuri V.I., sipas marrëveshjes e thërret të pandehurin F.H., punëtor në lokalin e tij në Fushë-Kosovë, duke i thënë që këto pako t’ia jepte vozitësit të kompanisë “Sim Logistik”, pronar i së cilës është i pandehuri I.M., i cili i kishte marrë pakot dhe i kishte dërguar në objektin e “Sim logistik” në fshatin Mazgit.

Më tutje të pandehurit I.M., V.I. dhe N.G., i kishin ndarë armët dhe medikamentet nëpër pako me qëllim të dërgimit në vende të ndryshme, ndërkaq i pandehuri B.S., fillimisht shkon në  depo, ku nga i pandehuri N.A., menaxher i kompanisë,  i merr disa pako  dhe pastaj takohet me të pandehurin S.S., të cilit ia jep një pako me medikamente dhe i fut në veturën e tij.

Ndërsa pasi të pandehurit kishin qenë nën vëzhgim të Policisë të dy të pandehurve në veturat e tyre u konfiskohen pakot me medikamente. Po ashtu, në garazhin e  banesës të të pandehurit B.S. konfiskohen edhe pako tjera me medikamente, ndërkaq gjatë kontrollimit në depon e “Sim logistik”, konfiskohen gjithsej 99 armë të llojit “Glock-Austria, një sasi municioni, si dhe një sasi medikamentesh vlera e të cilave përfshirë edhe sasinë e konfiskuar të të pandehurit B.S. dhe S.S., është rreth 17.000 euro.

Kurse të pandehurit B.S. dhe N.G. nga i dyshuari A.I. ishin furnizuar me barëra pa banderola,  me qëllim shitjeje nëpër barnatore të ndryshme, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

Me veprimet e lartëcekuara  të pandehurit e sipërshënuar kanë kryer veprat penale – importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve; tregtia e ndaluar dhe pjesëmarrja ose organizimi i grupit të organizuar kriminal, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.