Prokuroria Speciale reagon ndaj deklaratës së Konjufcës

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka reaguar ndaj deklaratës së mbrëmshme të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se njeriu kryesor i drejtësisë e ka dosjen e kriminelëve në veri, por nuk po ndërmerr asgjë.

PSRK deklaroi që prokurorët kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me veprat penale të kryera në veri të vendit, duke ju dhënë autorizimet e nevojshme policisë që të ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore, përfshirë edhe arrestimet sipas urdhër arresteve të lëshuara për të gjithë personat që janë si të dyshuar në këtë dosje hetimore.

Prokuroria tutje shtoi se për krimin në veri kanë bërë arrestime e aktakuza, dhe shumë prej tyre janë ende në shqyrtime gjyqësore, e disa prej këtyre rasteve janë të shënjestruara nga Ekipi i Përbashkët për Përzgjedhjen dhe Shenjëstrimin e Krimeve te Rënda të cilin e udhëheq Kryeprokurori i PSRK-së.

“PSRK njofton publikun e gjerë, se prokuroria për punën e saj nuk bën deklarata publike për veprimet hetimore që ndërmerr për rastet që ka në hetime, e këtë nuk e ka bërë as kur vet Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës personalisht ka dal në vendin e ngjarjes kur janë sulmuar policia e Kosovës në veri, sepse konsideron se sundimi i rendit dhe ligjit në secilin cep të vendit, është qëllimi i punës së prokurorisë, e jo publikimi i veprimeve hetimore të asnjë rasti hetimor” – thuhet tutje në reagim.

Ky institucion në fund theksoi se është tërësisht i angazhuar për të bërë punën për të cilën është e destinuar me efikasitetin më të lartë dhe i ftoi të gjitha institucionet që të përmbahen nga deklarimet rreth rasteve penale, veçanërisht ato që janë në fazën e hetimeve.

Sepse siç tha prokuroria, deklarime të tilla përveç se dëmtojnë imazhin e prokurorisë në sytë e publikut, mund edhe të krijojnë pasiguri për qytetarët dhe inkurajim për të gjithë personat e përfshirë në aktivitete të kundërligjshme kriminale.

Glauk Konjufca mbrëmë në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini deklaroi se ka informata të sakta që njeriu kryesor i drejtësisë në Kosovë e ka dosjen e plotë të personave të krimit në veri të vendit, që nga shtatori i vitit të kaluar, por megjithatë nuk ka ndërmarrë asgjë.

KALLXO.com kontaktoi me Blerim Isufajn, i cili është në krye të Prokurorisë Speciale lidhur me këtë deklaratë, por ai tha se nuk ka koment.

“S’komentoj deklarata. Unë e kam punën time” – tha ai.

Konjufca: Njeriu kryesor i drejtësisë e ka dosjen e kriminelëve në veri, por nuk po ndërmerr asgjë