Prokuroria Speciale pritet që sot të dërgoj kërkesën për paraburgimin e grupit të dyshuar terrorist

Pesë persona janë ndaluar për 48 orë pas arrestimit pasi të njëjtit po dyshohej se po përgatisnin sulme terroriste në Kosovë.

KALLXO.com mëson se gjatë ditës së sotme pritet që Prokuroria Speciale të dërgoj kërkesën për paraburgimin e pesë të dyshuarve.

Pas kërkesës për paraburgim për të cilën Prokuroria Speciale do të kërkoj nesër pritet që të mbahet seanca gjyqësore ndaj grupit të dyshuar terrorist.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme raportoi se pesë persona janë arrestuar në një aksion i cili është zhvilluar nga Drejtoria kundër Terrorizmit në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale në të cilin u arrestuan pesë persona.

Të njëjtit po dyshohen për përgatitje të veprave terroriste në Kosovë.

Në anën tjetër gjatë bastisjeve të lokacioneve ku janë arrestuar të dyshuarit janë gjetur një arsenal armësh të rënda si materie eksplozive, armë të zjarrta, dron si dhe armë anti-tankë.

Prokuroria Speciale ka njoftuar dje se deri te arrestimi erdhi një hetim disa mujorë dhe zbatimi i masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit.

Përvec veprës për përgatitje të veprave terroriste, prokuroria ka njoftuar se të arrestuarit po dyshohen edhe për  “Import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Gjatë ditës së djeshme KALLXO.com raportoi se njëri nga të arrestuarit është edhe Ardian Gjuraj.

Gjuraj ishte liruar nga akuza nga Gjykata e Apelit në vitin 2018, pra tre vite më parë.

Ai edhe atë kohë dyshohej si dhe akuzohej për vepra penale që lidhen me terrorizëm.

Në atë kohë Gjykata e shkallës së dytë pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtësit të të akuzuarit, avokati Ali Beka, si dhe Prokurorisë Speciale ka vendosur që ta ndryshoj aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë e cila Gjurajn e kishe gjetur fajtor dhe e kishte dënuar me një vit e pesë muaj burgim nën akuzën se kishte kryer vepra penale që lidhen me terrorizëm.

Sipas aktakuzës në atë kohë, Ardian Gjuraj gjatë viteve 2014-2015 duke jetuar në Gjermani është bërë përkrahës i ideologjisë së organizatës terroriste- ekstremiste ISIS.

Babai i tij, Kujtim Qerkini, e kishte paraqitur në polici Gjurajn, ndërsa Policia e Gjermanisë e kishte deportuar atë në Kosovë më 18 prill 2015.

Por, gjithnjë sipas aktakuzës, në dhjetor të 2015-ës Gjuraj kishte udhëtuar me grupin e organizatës “Liza-R” drejt Turqisë.  Në këtë shtet ai ishte ndarë nga grupi, ndërsa kishte vazhduar rrugën drejt Sirisë, ku u ishte bashkuar grupit të kosovarëve pjesëtarë të ISIS-it.

Në aktakuzë thuhej se Gjuraj ishte arrestuar nga autoritete turke më 25 shkurt 2016, pasi kishte kaluar ilegalisht kufirin Siri-Turqi, duke u futur në territorin e shtetit turk.

Aktakuza sqaron se autoriteteve turke që e arrestuan Gjuraj u ishte paraqitur si shtetas i Rusisë me emrin Ashab Arsayev, ndërsa më 5 shtator 2016 ishte deportuar në Kosovë.

Gjuraj nga Prokuroria akuzohej për veprën penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Detaje: Grupi radikal islamik planifikonte sulme terroriste në Kosovë