Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj një mjeku të QKUK-së dhe një personi tjetër
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj një mjeku të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe një personi tjetër nën dyshimin për veprat penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.
Të akuzuarit në këtë rast janë B.A (mjek në QKUK) dhe B.D.
“Aktakuza është ngritur ndaj të pandehurve: B.A me profesional mjek në QKUK, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale: ‘Falsifikimi i dokumentit zyrtar’, dhe të pandehurit B.D., për shkak të veprës penale: ‘Legalizimi i përmbajtjes së rreme’”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë më 18.11.2024.
Prokuroria më tej thekson se i pandehuri B.A, ka falsifikuar dokumentet zyrtare të QKUK-së, për dobi të të pandehurit B.D.
“Hetimet kanë vërtetuar se i pandehuri B.A, ka falsifikuar dokumentet zyrtare të QKUK-së, për dobi të të pandehurit B.D., kurse i pandehuri B.D. akuzohet se dokumentet me përmbajtje të rreme i ka dorëzuar në gjykatë, në rastin me numër PS.nr.30/2.”- thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë.
Siç thekson Prokuroria, kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.