Prokuroria Speciale
Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj Jellena Gjukanoviq për veprën penale të spiunazhit
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Jellena Gjukanoviq për veprën penale të spiunazhit.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se Jellena Gjukanoviq akuzohet se nga data e pacaktuar, e deri në momentin e arrestimit më 28.02.2025, në cilësinë e zyrtares të Misionit të OSBE-së në Kosovë, me vetëdije dhe me dashje ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë.
Jellena Gjukanoviq nga Prokuroria Speciale akuzohet se ka siguruar dhe shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për interes të BIA-s.
“E pandehura, e cila mbante pozitën “Zyrtare e Programit Kombëtar” në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Regjionin e Mitrovicës, akuzohet se ka siguruar dhe shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për interes të BIA-s. Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë cënuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, si dhe kanë vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
“J.GJ.nga pozita e saj në OSBE, dhe udhëzimeve që kishte marrë nga tani i dënuari për spiunazh A.V., gjatë takimeve zyrtare dhe përpilimit të raporteve të OSBE-së, për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, poashtu ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës.” – thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se sipas provave të siguruara gjatë hetimeve, informacionet e siguruara nga Jellena Gjukanoviq, janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-s, përkatësisht R.G., përgjegjës i BIA-s për Rajonin e Novi Pazarit në Serbi, dhe zyrtari L.B., ku me këtë të fundit, e pandehura në disa raste edhe ishte takuar në Beograd të Serbisë.
KALLXO.com kishte raportuar më 28.02.2025 se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se pas zhvillimit të hetimeve disamujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, më 28.02.2025, në regjionin e Mitrovicës kishte arrestuar Gjukanoviqin për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale – spiunazhi.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 02.03.2025 kishte caktuar masën e paraburgimit për herë të parë ndaj Jellena Gjukanoviq.