Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj 7 personave për falsifikim të parave

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër shtatë personave të dyshuar për veprat penale, ‘Falsifikim i Parasë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

E. K., N. G., H. K., Z. K., V. K. dhe V. K., akuzohen për veprën penale të falsifikimit të parasë ndërsa S. K., për mbajtje në pronësi të armëve.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë Speciale:

Prishtinë, 21 shtator 2021 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër shtatë të akuzuarve.

Prokuroria Speciale njofton se kundër gjashtë (6) të akuzuarve me inicialet, E.K., N.G., H.K., Z.K., V.K. dhe V.K., aktakuza është ngritur në drejtim të veprës penale “Falsifikim i parasë” nga neni 296 paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërkaq, kundër një të akuzuari me inicialet S.K., Prokuroria ka ngritur aktakuzë në drejtim të veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.