Prokuroria Speciale ngrin mbi 2 milionë euro e 800 mijë franga dhe 16 parcela në rastin e ri 'Franga'

Prokuroria Speciale ka shenjëstruar një rast të ri me kodin “Frangu” për veprat penale ‘’Shpëlarje e parasë’’, ‘’Fajdeja’’, ‘’Detyrimi’’ dhe ‘’Pengim i të privuarit apo procedurës zyrtare’’.

“Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, ka mbajtur sot takimin e radhës me ekipin e përbashkët për përzgjedhjen dhe shenjëstrimin e krimeve të rënda, ku kanë shenjëstruar një rast të ri të koduar ‘’Frangu’’ ku janë të përfshirë katër persona” – ka njoftuar Prokuroria Speciale.

Në kuadër të këtij rasti, Prokuroria njofton se ka ngrirë llogaritë bankare të 4 të dyshuarve dhe familjarëve të tyre të ngushtë, kështu duke ngrirë mbi 2 milionë euro dhe mbi 800 mijë franga zvicerane.

“Kurse në vazhdimësi të hetimeve janë identifikuar edhe prona dhe patundshmëri të cilat me urdhër të Gjykatës janë ngrirë gjashtëmbëdhjetë (16) parcela. Në ketë rast për momentin janë të përfshirë katër (4) persona, tre (3) prej tyre janë në paraburgim” – thuhet tutje në njoftimin e prokurorisë.