Prokuroria Speciale konfirmon se ministrja Rizvanolli po intervistohet

Prokuroria Speciale ka konfirmuar për Kallxo.com më 12.11.2024 se ministrja Artane Rizvanolli po intervistohet nga kjo prokurori në cilësinë e dëshmitares. Por Prokuroria nuk ka specifikuar se për cilën çështje penale po intervistohet ministrja Rizvanolli.

“E njëjta është duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitares për një çështje penale, të cilën kjo prokurori e ka në hetim” – thuhet në përgjigjen me email të zëdhënëses së kësaj prokurorie Liridona Kozmaqi.

Momentalisht së paku një amasador, dhe dy ministra dhe një zëvendësministër të Qeverisë Kurti janë raportuar se janë nën hetime.

Më 29.03.2024 Ambasadori Martin Berishaj ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale nën dyshimin për tri vepra penale “Shpëlarja e parave”, “Shmangia nga tatimi” dhe “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Më 15.04.2024 Kallxo.com në mënyrë ekskluzive kishte raportuar se se ministrja Rozeta Hajdari ishte intervistuar në cilësinë e të dyshuarës lidhur me rasitn e rezervave shtetërore.

Më 08.05.2024 zëvendësministri Hysen Durmishi ishte intervistuar si i dyshuar nga Prokuroria Speciale lidhur me tenderin për rrugën Prishtinë – Podujevë.

Në këtë rast Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), ka konstatuar se MMPHI ka bërë shkelje kur ka nënshkruar kontratat për tenderin për rrugën Prishtinë – Podujevë duke pasur ankesë aktive.