Prokuroria Speciale: Kemi identifikuar 44 të dyshuar për masakrën e Dubravës

Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), ka njoftuar se në lidhje me rastin e Dubravës, hetimet kanë arritur të identifikojnë 44 të pandehur të cilët dyshohet se janë të përfshirë në kryerjen e veprës penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

“Deri më tani hetimet kanë arritur të identifikojnë dyzetekatër (44) të pandehur të cilët dyshohen se janë të përfshirë në kryerjen e veprës  penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile” e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish RSFJ-së  si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar me nenin 146 lidhur me nenin 31 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës ( tutje ‘’KPRK’’)”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.

Prokuroria gjithashtu thotë se në lidhje me këtë rast janë identifikuar 60 të dëmtuar dhe 100 dëshmitarë të cilët janë intervistuar nga organet e rendit.

“Në këtë fazë të procedurës, hetimet kanë arritur të identifikojnë rreth gjashtëdhjetë (60) të dëmtuar të rastit të Dubravës, të cilët janë intervistuar, duke përfshirë edhe Enver Dugollin dhe Bedri Kukalaj. Sipas shkresave të lëndës, Enver Dugolli, u  intervistua më datë 06.11.2013, kurse, Bedri Kukalaj, u  intervistua më datë 04.08. 2011, nga Prokurori i EULEX-it në PSRK”, njofton PSRK.

Tutje, PSRK-ja bën të ditur se hetimet në lidhje me rastin e Dubravës janë duke vazhduar dhe se fillimisht ky rast ishte i pezulluar për shkak të mungesës së të pandehurve.

“Për hir të korrektësisë, ju njoftojmë se fillimisht, ky rast ka qenë i pezulluar për shkak të mungesës së të pandehurve dhe ruajtjes së afatit ligjor prej 2 vitesh të hetimeve. Mirëpo, me miratimin e plotësim-ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale, në qershor të vitit 2021, me ç‘rast është hequr afati i hetimeve dhe është lejuar gjykimi në mungesë, dosja penale është riaktivizuar për procedurë hetimore”, thotë Prokuroria.

PSRK po ashtu njofton se janë duke ndërmarr veprime procedurale hetimore me qëllim të zbardhjes në tërësi të rastit, mirëpo për shkak të konfidencialitet të procedurës, nuk mund të ndaj më shumë informacione me publikun.

Ditë më parë në emisionin “Kallxo Pernime” i ftuar ishte ish-ushtari i UÇK-së, Bedri Kukalaj, i cili kishte mbetur i plagosur nga zënia në pritë prej serbëve.

Kukalaj ka thënë se kur i kanë dërguar nga burgu i Nishit në atë të Dubravës kanë përjetuar vazhdimisht keqtrajtime nga gardianët.

Ai në emisionin “Kallxo Pëenime” tha se edhe ushqimin e kanë pasur me urdhër, derisa kujton edhe ditën kur u lirua Ukshin Hoti.

“Kur kemi shku në Dubravë, aty kishte qenë tmerr, aty edhe ushqimi ka qenë katastrofë, nuk guxonim të hanim pa na u dhënë urdhri. Më 16 maj 1999 teksa po ktheheshim nga kuzhina ku ushqeheshim, Ukshin Hoti ka qenë në kolonë me neve, të cilit dy gardianë i thanë të shkonte të bënte gati rrobat pasi do lirohej. Ne e kemi përcjellë kurse ai na kanë thënë: “Lirimi im ka diçka politike, por nëse dal i gjallë, ju do jeni të sigurt”, ka thënë Kukalaj.

Rrëfimi i të mbijetuarit Enver Dugolli në 23-vjetorin e Masakrës së Dubravës