Prokuroria Speciale e Kosovës njofton për shënjestrimin e pesë rasteve të reja
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar më 11.11.2024 se ka shënjestruar pesë raste të reja për vepra penale si keqpërdorim i detyrës zyrtare, shpëlarje parash, raportim i rremë i pasurisë, fajde, armëmbajtje pa leje dhe vepra të tjera.
Për këto raste të dyshuar tashmë janë 24 persona, por vetëm për njërin nga pesë rastet, kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj, konfirmoi se është ngritur aktakuza duke mos dhënë më shumë detaje për rastet e tjera.
“Rasti i parë ka të bëjë me veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Armëmbajtje pa leje”, “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”. Rasti i dytë ka të bëjë me veprat penale: “Fajdeja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Rasti i tretë ka të bëjë me veprat penale: “Falsifikimi i parasë”, “Blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale”, “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, “Falsifikimi i parasë” dhe “Shpërlarja e parave”. Rasti i katërt ka të bëjë me veprat penale: “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, “Falsifikimi i parasë” dhe “Shpërlarja e parave”. Ndërkaq, rasti i pestë ka të bëjë me veprat penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Përvetësimi në detyrë”.”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Njoftimi i Prokurorisë thotë se në këto rast të përfshirë janë 24 persona dhe janë sekuestruar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme dhe sasi e konsideruar e parave të falsifikuara.
Sipas Raportit të Progresit të Komisionit Europian, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka hulumtuar 66 raste nën dyshimet për korrupsion.
59 raste ishin referuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në Prokurori ndërsa 7 raste ishin pushuar.
Sipas Raportit të Progresit, numri i aseteve të konfiskuara është rritur.
Gjatë vitit 2023 totali i aseteve të sekuestruara nga Prokuroria janë në vlerë prej 23.594,636 euro duke shënuar një vlerë më të madhe të sekuestrimeve që ishin bërë gjatë vitit 2022 që kapnin vlerën prej rreth 670 mijë euro.