Prekaz, Kulla e Jasharajve
Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet për ngjarjet në Prekaz më 1998
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka hapur hetime me qëllim të zbardhjes së rastit të sulmit të forcave serbe kundër Familjes Jashari në Prekaz më 5, 6, dhe 7 mars 1998.
Lajmin për KALLXO.com e ka bërë të ditur prokurorja speciale, Drita Hajdari.
“Kam verifikuar nëse rasti është hapur nga EULEX-i apo UNMIK-u apo nga Tribunali i Hagës dhe pasi që kam kuptuar se nuk ka rast të hapur kam vendosur për hapjen e hetimit me qëllim të zbardhjes së këtij rasti dhe të përgjegjësisë penale për krimet e luftës në rastin konkret”, ka thënë prokurorja Drita Hajdari.
Hetimi, sipas prokurores speciale, është iniciuar në vitin 2019, pra 21 vjet pas ngjarjeve.
“E kam hapur hetimin preliminar. Jemi duke grumbulluar prova”, ka thënë për KALLXO.com Drita Hajdari.
Në Kosovë sot ka filluar shënimi i 22 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, që përkon me fillimin e përballjes së familjes së komandantit legjendar Adem Jashari me forcat serbe.
Beteja në Prekaz të Skenderajt kishte zgjatur tre ditë.
Gjatë kësaj beteje janë vrarë 55 persona, prej të cilëve 22 ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Në mesin e të vrarëve kishte edhe shumë fëmijë.