Prokuroria Speciale bëhet me Departament për luftimin e korrupsionit

Me asnjë votë kundër Këshilli Prokurorial i Kosovës votoi për themelimin e tri departamenteve të reja në Prokurorinë Speciale të Kosovës me të cilat synohet të përmirësohet efikasiteti i kësaj Prokurorie.

Kryeprokurori, Aleksandër Lumezi, paraqiti nevojën për themelimin e këtyre tri departamenteve.

“E kemi një iniciativë nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës për riorganizim dhe ristrukturim të kësaj Prokurorie. E kemi pa të arsyeshme që kjo kërkesë duhet të kalojë në Këshill me qëllim që të bëhet profilizimi në Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe që të kemi cilësi më të mirë për hetimin e këtyre rasteve”, tha ai.

Lumezi më tej theksoi nevojën për themelimin e këtyre departamenteve dhe tha se ky ristrukturim do të ndihmoj në luftimin korrupsionit të nivelit të lartë.

“Qëllimi është të formohen disa departamente, ne e kemi departamentin për krime të luftës ndërsa tani është paraqitur si nevojë edhe për departamente tjera si ai për terrorizëm, duke parë që terrorizmi është një e keqe që e rrezikon sigurinë edhe në vendin tonë dhe ne vlerësojmë se duhet të kemi prokurorë që specializojnë në këtë aspekt dhe po ashtu edhe nevoja për departamentin për krim të organizuar dhe departamentin për korrupsion dhe krim të organizuar”, tha Lumezi.

“Është paraparë që të ketë udhëheqës të këtyre departamenteve që do të mbikëqyrin punën e prokurorëve në këto departamente”, shtoi ai.

Kryeprokurori Lumezi tha se numri i prokurorëve që do të caktohen në këto departamente do të caktohet varësisht nga numri i lëndeve që kanë aktualisht.

“Sa i përket numrit të prokurorëve në këto departamente rekomandoj që të obligohet kryeprokurori I Speciale që deri më 1 prill t’i identifikoj lëndët në departamente dhe në bazë të lëndëve do të shohim se cili numër duhet me qenë të ato departamente dhe varësisht nga numri i lëndëve do të caktohet edhe numri i prokurorëve”, shtoi Lumezi.