Ndërtesa e Gjykatës së Lartë dhe e Prokurorisë së Krimeve të Luftës. Foto: BIRN.

Prokuroria serbe për krime lufte 'jashtëzakonisht joefikase', thuhet në raportin e FDH-së

Shumica e aktakuzave të ngritura nga Prokuroria Serbe për Krimet e Luftës vitin e kaluar, duke përfshirë akuzat kundër oficerëve të lartë të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, ishin në fakt produkte të punës së dikujt tjetër, thuhej në një raport të Fondit për të Drejtën Humanitare.

Një raport i ri i publikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare me qendër në Beograd të premten akuzon Prokurorinë Serbe për Krimet e Luftës se është “jashtëzakonisht joefikase”, duke ngritur gjithashtu shqetësime se mbi gjysma e seancave gjyqësore në gjyqet e krimeve të luftës vitin e kaluar u shtynë për arsye të lidhura me COVID-19.

Ndërkohë jashtë sallës së gjyqit, zyrtarët serbë vazhduan të promovojnë kriminelët e luftës dhe të keqinterpretojnë historinë e luftërave të viteve 1990, thotë raporti.

Raporti vjetor i Fondit për të Drejtën Humanitare për gjyqet për krimet e luftës në Serbi thotë se “tendenca negative e ngritjes së një numri të vogël aktakuzash kundër një numri të vogël të dyshuarish vazhdoi” në vitin 2021 dhe se shumica e rasteve në fakt nuk kishin nisur në Zyrën e Prokurorit Serb të Krimeve të Luftës, por ishin marrë nga Bosnja dhe Hercegovina.

Gjatë vitit, shtatë aktakuza u ngritën për nëntë persona, katër prej të cilëve ishin aktakuza të ardhura nga prokuroria boshnjake.

“Duke pasur parasysh se Prokuroria e Krimeve të Luftës ka një prokuror dhe 12 zëvendës, ngritja e vetëm tre aktakuzave gjatë gjithë vitit si rezultat i hetimeve të veta mund të konsiderohet jashtëzakonisht joefikase”, thotë FDH në raport.

“Është shumë shqetësuese që për të tretin vit radhazi, TRZ ka një numër më të madh zëvendësprokurorësh sesa numri i përgjithshëm i aktakuzave të ngritura në një vit”, shton ai.

Raste u hapën kundër oficerëve të rangut të lartë, si Rajko Kusiç, ish-komandant i Brigadës Rogatica të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Branko Basara, ish-komandant i Brigadës Sana të Ushtrisë Serbe të Bosnjës dhe Nedeljko Aniciç, ish-komandant i forcës së mbrojtjes territoriale Sanski Most. “Nuk ishin aktakuza që rezultuan nga hetimet e pavarura nga Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës, por aktakuza nga procedurat e nisura nga Bosnja dhe Hercegovina, rezultat i punës së prokurorive të tjera”, shpjegon raporti.

Në rastet që tashmë kanë shkuar në gjyq, “gjyqet janë shtyrë disa herë sepse gjyqtarët, të pandehurit dhe dëshmitarët janë sëmurë ose janë izoluar” për shkak të COVID-19, thuhet në të.

“Për shkak të mungesës së dëshmitarëve, të pandehurve apo anëtarëve të dhomave të gjykatave, nga gjithsej 127 seanca të parapara për vitin 2021, janë mbajtur vetëm 62 seanca, që është më pak se gjysma. Vazhdoi edhe trendi i reagimit të ulët të dëshmitarëve, veçanërisht atyre nga jashtë Serbisë për shkak të problemeve të shkaktuara nga pandemia apo nevoja për të aplikuar masa izolimi”, shton ai.

Raporti i FDH-së thotë se larg ndërtesës së gjykatës në vitin 2021, “praktika e krijuar më parë e revizionizmit të luftërave të viteve 1990 vazhdoi në Republikën e Serbisë, duke injoruar dhe minimizuar faktet e vërtetuara nga gjykata, duke promovuar kriminelët e luftës, duke siguruar hapësira publike dhe fonde shtetërore për botimin dhe promovimin e librave të kriminelëve të dënuar të luftës dhe prodhimeve filmike dhe televizive”.

Raporti rendit shembuj të shumtë si tabloidët serbë që lavdërojnë shefin ushtarak serb të Bosnjës Ratko Mlladiçsi hero pasi dënimi i tij me burgim të përjetshëm për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica dhe krime të tjera të kohës së luftës u konfirmua në qershor 2021. Një mural i madh për Mlladiçin u pikturua gjithashtu në Beograd dhe u rilye sa herë që aktivistët përpiqeshin ta hiqnin.

Në mars 2021, të dënuarit e Gjykatës së Hagës, Nikola Sainoviç dhe Vladimir Lazareviç u shfaqën në programin televiziv të Radio Televizionit të Serbisë për të shënuar përvjetorin e bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi, duke pretenduar se ata nuk ishin përgjegjës për krime lufte kundër civilëve shqiptarë të Kosovës, pavarësisht dënimeve të tyre.

Në gusht të vitit 2021, asambleja lokale në Pantelej, një komunë e qytetit të Nishit në Serbinë jugore, e bëri Lazareviçin qytetar nderi.

Në shtator, komuna e Negotinit në Serbinë lindore mbështeti një event për të promovuar librin e fundit të kriminelit serb të luftës Veselin Sljivancanin.

Disa javë më vonë, Ministria serbe e Mbrojtjes organizoi shfaqjen e një filmi për Brigadën 125 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave tashmë të shpërbërë për të përkujtuar 40-vjetorin e themelimit të saj, pavarësisht pretendimeve se ajo ishte e përfshirë në krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.