Prokuroria propozon shikim të thirrjeve telefonike të të akuzuarit, i cili vrau gruan me 14 plumba

Mbrëmjen e 6 gushtit të vitit 2019, ndodhi ngjarja makabre në të cilën burri qëlloi me 14 plumba gruan e tij. E nga këto goditje, viktima ishte rrëzuar për tokë dhe nga plagët e marra kishte vdekur në vend. Me pas, i akuzuari e kishte telefonuar edhe policinë, duke iu rrëfyer se e qëlloi gruan.

Ngjarja kishte ndodhur në Prizren, vetëm disa metra larg shtëpisë së tyre.

Dosja e prokurorisë sqaron se i akuzuari Bajram Velija, bashkëshorti i të ndjerës, ka qenë i dyshuari i vetëm në këtë rast, e deri te vrasja kishte ardhur pasi që dyshohet se bashkëshortja e të akuzuarit kishte kërkuar ndarjen nga ai.

Aktakuza thotë se me 6 gusht të vitit 2019, në Prizren, i akuzuari Bajram Velija me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij tashmë të ndjerë, A. A. – V, ndërsa deri te ngjarja tragjike ka ardhur pas një mosmarrëveshje paraprake që i akuzuari kishte me të.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria me 28 shkurt 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarit Bajram Velija për dy vepra penale, vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Në seancat e kaluara, i akuzuari Velija, i pyetur rreth fajësisë kishte deklaruar se veprën nuk e kishte kryer me dashje.

“Unë jam fajtor, por jo me dashje… e kam ba por pa mendje në kokë”, kishte thënë herën e parë Bajram Velija.

Ndërkaq, pas konsultimeve të tjera, për herën e tretë i akuzuari nuk ishte deklaruar fare, ndërsa mosdeklarimi i tij për gjykatën kishte domethënien e mospranimit të fajësisë.

Ndërsa, në shqyrtimin e sotëm, përfaqësuesja e prokurorisë Ervehe Gashi, deklaroi se ka pranuar  raportin e ekzaminimit të telefonit të të akuzuarit dhe viktimës, mirëpo vetëm pas shikimit, informatave dhe provave fajësuese ose shfajësuese, do t’i propozoj të njëjtat si dëshmi.

“Ekzistojnë thirrjet e të akuzuarit Bajram Velijës, i cili si posedues i operatorit VALA, në natën kritike kishte komunikuar me disa  dëshmitarë”, tha prokurorja Gashi.

Në seancë, gjithashtu ishte paraparë që të dëgjohej dëshmitari Blerim Martinaj, mirëpo i njëjti nuk kishte ardhur në gjykatë dhe në këtë rast, prokurorja Gashi, hoqi dorë nga dëgjimi i tij.

Gjykimi ndaj të akuzuarit Velija vazhdoi me leximin e dëshmive të dëshmitarëve, me leximin e shkresave të raportit të balistikës së armëve, raportin e autopsisë, dosjen e forenzikës si dhe u bë shikimi i një CD-je të rastit kur kishte ndodhur vrasja.

Me pëlqimin e palëve, shqyrtimi i sotëm u ndërpre, ndërkaq ajo e radhës u caktua për datën 8 shtator.

Sipas Prokurorisë, Bajram Velija akuzohet se më 6 gusht 2019, në lagjen “Jeta e Re” në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes-bashkëshorten e tij, A. A. – V.

Sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshje paraprake me viktimën, në momentin kur viktima po largohej nga shtëpia e tyre, i pandehuri pajiset me një pistoletë dhe në dalje të shtëpisë ka shtënë 15 herë në drejtim të bashkëshortes së tij, duke e goditur të njëjtën 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit.

Pas kryerjes së këtij veprimi, i pandehuri bashkëshorten e tij e mbulon me një fustan të saj dhe pret ardhjen e policisë.

Kurse, sipas pikës së dytë të aktakuzës, thuhet se deri më 6 gusht 2020, i pandehuri mban në pronësi dhe kontroll pistoletën e tipit “Pietro Beretta Gardone”, disa karikatorë dhe fishekë, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, me të cilën pistoletë prokuroria dyshon se është kryer vepra penale e vrasjes së rëndë.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, i akuzuari ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes në pronësi, kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve.

Kallxo.com ka raportuar edhe më herët për rrjedhën e këtij gjykimi.