Prokuroria: Polici kishte muaj që dyshohej për bixhoz ilegal

Me datë 25 qershor, Inspektorati Policor i Kosovës – Departamenti i hetimeve, ka paraqitur kërkesë për lëshimin e urdhërit për masat e fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit kundër zyrtarit policor Jashar Osdautaj nga Deçani.

Kjo kërkesë i është bërë Prokurorisë së Gjakovës, me dyshimin se i njëjti kishte kryer veprën penale organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. Ai punonte në ekipin reagues në kuadër të Stacionit Policor në Gjakovë.

Andaj, hetimet kundër të pandehurit Jashar Osdautaj, kishin filluar në fund të muajit qershor.

Përveç Osdautaj, më pas hetimet kishin filluar edhe ndaj tre të dyshuarve Gegë Lleshaj, Arlind Hajdari dhe Leonard Elezaj.

Pas hetimeve të bëra, dje Policia ka arritur që t`i arrestoj katër personat, në rrugën “Nënë Tereza”, në Gjakovë.

Pas kërkesës së Prokurorisë të paraqitur sot, Gjykata e Gjakovës ka caktuar paraburgimin prej një muaji ndaj katër të pandehurve, duke i lënë kështu prapa grilave deri me datën 25 gusht.

Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është i domosdoshëm për zhvillimin e rregullt të procedurës penale, pasi që të njëjtit duke u lënë në liri mund të arratisen, të ndikojnë në dëshmitarë apo t’i asgjësojnë provat e rastit.

Prokuroria pretendon se nga data e pacaktuar e në vazhdimësi gjerë me datë 26 korrik, në depon e një bodrumi të objektit banesor, të pandehurit Jashar Osdautaj, Gegë Lleshaj, Arlind Hajdari dhe Leonard Elezaj në bashkëveprim me njëri tjetrin, kishin organizuar, zhvilluar dhe marrë pjesë në veprimtarinë e lojërave të fatit, përkatësisht lojën poker.

Në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, thuhet se edhe pse këto lojëra janë të ndaluara me Ligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit, të njëjtit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër ata kanë vepruar në kundërshtim me këtë ligj.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit janë zënë në rrugën “Nënë Tereza”, afër ëmbëltores Sharri në qendër të Gjakovës.

Një ndër arsyet se pse Prokuroria ka kërkuar që të njëjtëve të iu caktohet paraburgimi, është se ajo dyshon se ata janë të përfshirë edhe në vepra tjera penale, e përveç katër të pandehurve janë të përfshirë edhe disa persona të tjerë, ku të njëjtit në bashkëveprim me të pandehurit janë marrë me aktivitete të kundërligjshme.

KALLXO.com dje kishte raportuar dhe siguruar fotografi nga operacioni i arrestimit të tyre.

Cak i operacionit të së dielës ishte zyrtari i Policisë, për të cilin KALLXO.com kishte mësuar se dyshohej që përfitonte shuma të mëdha parash nga aktiviteti i bixhozit.

Bashkë me të ishin arrestuar edhe tre të dyshuar të tjerë, pjesëtarë të këtij grupi. Por dyshohet se në këtë rast janë të përfshirë edhe persona të tjerë.