Prokuroria po vazhdon hetimet për zyrtarët e helmuar të KQZ-së
Helmimi i 12 zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mëngjesin e së dielës gjatë verifikimit të votave që kanë ardhur nga Serbia, po vazhdon të hetohet nga Prokuroria e Shtetit.
Procesi i verifikimit të këtyre votave është pezulluar përkohësisht, derisa të merret vendimi se çka do të bëhet me zarfet e ardhura nga Serbia.
Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokuorinë Themelore të Prishtinës, për KALLXO.com, tha se hetimet janë duke vazhduar dhe ende nuk ka ndonjë gjë konkrete.
“Për shkak se ka qenë rast i ndjeshëm, veprimet janë ndërmarrë dhe hetimet janë duke vazhduar, por për momentin ende nuk mund të japim ndonjë informatë të re apo detaje. Tash të shohim si po shkojnë gjërat, cili ka qenë shkaku dhe cilat janë rrethanat”, ka thënë Ulaj.
Ajo tha se deri më tani nuk ka ndonjë të dyshuar apo shkak se si është ardhur deri tek helmimi i zyrtarëve të KQZ-së.
Ditë më parë KALLXO.com ka raportuar se pikërisht këto zarfe, që janë rreth 3 mijë e 700 të tillë, në Kosovë nga Serbia kanë ardhur nën shoqërimin e Policisë, e jo përmes postës sikurse votat që vijnë nga shtetet jashtë Kosovës.
Gjithashtu, shumica e këtyre zarfeve kanë qenë të ngjyrës dhe formës së njëjtë.
Mëngjesin e së dielës rreth 20 persona u shoqëruan në QKUK, pas kontaktit me zarfet nga Serbia, ku pësuan alergji në duar dhe fytyrë, ndërsa 9 prej tyre u shtruan në Klinikën Infektive.
Më pas Policia e Kosovës rrethoi objektin e Ministrisë së Infrastruktruës, ku po mbaheshin këto vota, ndërsa Prokuroria doli në vendin e ngjarjes duke intervistuar dëshmitarët.
Kurse në lidhje me incidentin, reagoi edhe Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovë në Qeverinë serbe, duke akuzuar autoritetet kosovare, se po tentojnë të manipulojnë votat e serbëve, që sipas tij, ‘në kuvend të hyjnë serbët e Kurtit’.
Pas incidentit me kutitë e votave nga Serbia, Gjuriq: po përgatitet manipulim i votave