Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prokuroria po trajton denoncimin e PDK-së në Vushtrri, flet Xhafer Tahiri

Partia Demokratike e Kosovës gjatë ditës së sotme ka reaguar në lidhje me një rast për të cilin pretendon se kandidati për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka angazhuar kundërligjshëm një vëzhgues në një qendër votimi.

Madje denoncimi i PDK-së, vazhdon duke thënë se vëzhguesi është duke punuar me kartë identifikuese të falsifikuar.

“PDK-ja në Vushtrri reagon ashpër dhe denoncon publikisht tentimin e kryetarit në ikje (Xhafer Tahiri nga subjekti politik LDK), i cili paturpësisht edhe në ditën e zgjedhjeve angazhon kundërligjshëm kandidatin për kuvendin e komunës Behar Duraku, duke e pajisur me bexh të falsifikuar në rolin e vëzhguesit në Qendrën e Votimit 2717 B në fshatin Stroc, duke bërë dy veprime të kundërligjshme: bexhi i falsifikuar dhe angazhimi i tij në shkelje flagrante të nenit 36 të Ligjit për Zgjedhje”, thuhet në reagimin e PDK-së, Dega në Vushtrri.

KALLXO.com në lidhje me këtë çështje ka kontaktuar edhe me kandidatin e LDK-së, Xhafer Tahiri.

“Është verifikuar nga organet kompetente kjo çështje, ky është reagim në panik i PDK-së, të cilët po vazhdojnë që të bëjnë presion. E para unë nuk caktoj komisioner apo vëzhgues, këto i cakton LDK. Kjo është deklaratë e rrejshme e PDK-së, për shkak të panikës së humbjes. Absolutisht nuk ka asnjë fakt, është vërtetu nga organet kompetente”, tha Tahiri.

Për të njëjtin rast KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Kryeprokurorin e Prokurorisë së Mitrovicës, Ismet Ujkani.

“E kemi pranuar si informacion dhe jemi duke e trajtuar, duhet shikuar rrethanat, faktet çka do që ka”, tha Ujkani për KALLXO.com.