Dogana e Kosovës - Foto: Rtv21

Prokuroria po kryen hetime ndaj 11 zyrtarëve doganor nën dyshimet për keqpërdorime

Dogana e Kosovës gjatë ditës së sotme ka mbajtur një konferencë për media në të cilën ka prezantuar statistikat për të hyrat e dy muajve të parë të këtij viti.

Udhëheqësi i Drejtorisë së Zbatimit të Ligjit në Doganën e Kosovës, Bashkim Arifi, në këtë konferencë  tha se Dogana e Kosovës ka rritur të hyrat për 10% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Në dy muajt e parë të këtij viti, të hyrat e përgjithshme të inkasuara nga Dogana e Kosovës në total kanë arritur afër 167 milion euro, dhe krahasuar me vitin paraprak në periudhën e njëjtë është rreth 10% më shumë”, ka thënë Arifi.

Ai tutje ka shtuar se rritja e të hyrave është një befasi e këndshme për këtë vit pandemik.

“Këto rezultatet janë arritur falë performancës së stafit të doganës dhe angazhimit kundër evazionit fiskal, kontrabandës dhe informalitetit”, ka thënë Arifi.

Ndërsa Driton Azemi, udhëheqës i Departamentit Operativ dhe Hetimor ka bërë të ditur në konferencë se 11 zyrtar të Doganës së Kosovës janë duke u hetuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Dogana e Kosovës për momentin nën udhëheqjen e prokurorisë po kryen hetime për 11 zyrtar doganor nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare”, u shpreh Azemi.

Ndërsa në lidhje me statistikat e Doganës së Kosovës për periudhën dy mujore, Azemi ka bërë të ditur se nga njësiti antikontrabandë janë kryer 1,078 ndalesa rrugore dhe 518 kontrolle në vendkalime kufitare.

“Kemi marrë pjesë në 29 plane operative me agjencione të tjera të zbatimit të ligjit, ku si rezultat janë zbuluar 40 kundërvajtje doganore, dhe është konfiskuar mall i kontrabanduar në vlerë 107 mijë euro”, u shpreh Azemi.