Donika Gervalla

Prokuroria po heton zëvendëskryeministren Gërvalla për mosdeklarim të pasurisë

Zëvendëskryeministrja e dytë e Kosovës, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është duke u hetuar nga prokuroria se nuk e ka deklaruar pasurinë e saj.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Referuar pyetjeve tuaja, lidhur me kallëzimin penal kundër D.G., në drejtim të veprës penale ‘Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’, iu njoftojmë se rasti është në fazën e hetimeve”-  tha Ulaj, për KALLXO.com.

KALLXO.com ditë me parë ka raportuar se Prokuroria ka ngritur aktakuzë për mosdeklarim të pasurisë ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Ajo ka thënë se e merr përsipër përgjegjësinë e vonesës në deklarim të pasurisë.

“Më vjen mirë që ekziston një ligj. E marr përsipër përgjegjësinë e vonesës në deklarim dhe më vjen mirë që nuk ngritet një akuzë për mua për vjedhje, për shpifje, për shfrytëzim të parasë publike, për votat parlamentare të juaj, për zgjedhjet e të gjitha të tjerat”- tha Hajdari.

Në mars të këtij viti, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) kishte dorëzuar kallëzim penal kundër ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari.

Sipas Agjencisë, ministrja Hajdari dyshohet për mos raportim ose raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, dhuratave dhe dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktakuzë është ngritur edhe kundër deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hidajet Hyseni me 14 tetor të këtij viti, për veprën penale mosdeklarim i pasurisë.

Lajmin për aktakuzën ndaj tij e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.