Prokuroria po heton shpërthimin e veturës në pompën e derivateve ku vdiq një person

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se po ndërmerrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të zbardhur rastin e shpërthimit të veturës në pompën e derivateve, ku mbeti i vdekur një person dhe një grua u lëndua.

Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për pompën e derivateve “Eida Patroni” në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë.

“Si pasojë e këtij shpërthimi të veturës, një person ka ndërruar jetë dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion  në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa, lëndime trupore ka pësuar punëtorja e marketit të pompës dhe e njëjta është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se vetura e djegur është dërguar në Stacionin e Policisë për ekzaminim dhe procedura të mëtejshme hetimore.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, ju njofton se do të vazhdoj hetimet në mënyrë intensive lidhur me këtë rast, deri në identifikimin dhe zbardhjen e plotë të tij”, thuhet më tutje në njoftim.

KALLXO.com ka raportuar mbrëmë se një person ka vdekur si pasojë e plagëve të marra nga djegia e veturës në Ferizaj.