Prokuroria po heton rastin e të miturës që u fejua me një 25-vjeçar, vendndodhja e të cilëve nuk dihet

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se janë duke hetuar rastin e 15-vjeçares nga Prizreni që u fejua me një 25-vjeçar, nëna e së cilës tha në Policinë e Kosovës se nuk dihet vendndodhja e tyre.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Fitore Mehmeti.

“Ju njoftoj se rasti në fjalë është duke u trajtuar dhe hetuar nga prokuroria në bashkëpunim me policinë. Andaj, për detaje të tjera lidhur me rastin do të njoftoheni me kohë”, ka thënë ajo.

Policia e Kosovës kishte njoftuar se në mëngjesin e ditës së djeshme kanë pranuar një ankesë nga nëna e një vajze 15-vjeçare nga Prizreni, e cila sipas gruas, para tre muajsh është fejuar me një 25-vjeçar.

Sipas Policisë, nëna e 15 vjeçares ka deklaruar se me familjen e këtij të fundit kanë pas marrëveshje që martesa në mes djalit dhe vajzës të mos bëhej deri sa vajza të arrijë moshën madhore.

Mirëpo, në njoftimin e Policisë është thënë se i dyshuari ka marr vajzën e ankueses dhe nuk dihet vendndodhja e tyre.

“Ankuesja raporton se vajza e saj e mitur e moshës 15 vjeçare para 3 muajsh ishte fejuar me të dyshuarin të moshës 25 vjeçare, me familjen e të cilit kishin marrëveshje  që martesa të mos bëhej para se vajza të arrijë moshën madhore. Ndërsa i dyshuari me datën e lartë cekur kishte mare vajzën e ankueses dhe nuk dihet vend ndodhja e tyre”, thuhej në njoftimin e Policisë.

E mitura fejohet me një 25-vjeçar, nëna e vajzës thotë se nuk dihet vendndodhja e tyre