land rover, shtetasit francez

Vetura me të cilën dy shtetasit francez u kapën nga policia, Foto: Policia e Kosovës

Prokuroria po heton hyrjen ilegale në Kosovë të dy shtetasve francezë me veturën me targa ruse

Dy shtetas francezë janë arrestuar ditë më parë nën dyshimin se kanë kryer vepër penale të kalimit ilegal të kufirit.

Kjo pasi që Policia e Kosovës thotë se të njëjtit duke shfrytëzuar rrugët ilegale në veri të Kosovës, kishin hyrë brenda territorit me një makinë ngjyrë të bardhë e me tabela ruse.

Ngjarja pretendohet se ka ndodhur pasditen e 25 korrikut.

Dy shtetasit francez B.H 64 vjeçar dhe A.F., 36 vjeçar ishin hasur nga Policia e Kosovës përgjatë rrugëve të fshatit Jashanicë në Komunën e Leposaviqit në veri të Kosovës.

land rover, shtetasit francez
Vetura me të cilën dy shtetasit francez u kapën nga policia, Foto: Policia e Kosovës

Pas identifikimit të të njëjtëve menjëherë është njoftuar edhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë. Këta të fundit fillimisht dhanë urdhrin që  dy shtetasit francezë të arrestoheshin ndërsa tutje ishte kërkuar edhe masa e sigurisë për paraburgim për të njëjtit në mënyrë që të hetohej rasti.

land rover, shtetasit francez
Vetura me të cilën dy shtetasit francez u kapën nga policia, Foto: Policia e Kosovës

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga ana e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë në lidhje me veprimet hetimore të cilat i kanë ndërmarrë deri më tani.

Prokuroria konfirmoi se Gjykata në Mitrovicë më saktësisht dega në Leposaviq ka marrë vendim që dy shtetasit francezë të dërgohen në paraburgim me kohëzgjatje prej 1 muaji.

Sipas tyre rasti është ende nën hetime dhe gjatë fazës më tutje do të tentohet të zbulohet qëllimi i apo rrethanat e hyrjes së tyre përmes rrugëve ilegale në Kosovë.

Neni 140 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës e përshkruan veprën penale të kalimit ilegal të kufirit si një vepër të dënueshme kryesisht nga 250 euro me gjobë deri në 3 vjet burgim.

“Kushdo që kalon kufirin apo vijën kufitare të Republikës së Kosovës në cilindo vend përveç në kufirin apo vendkalimet e autorizuara kufitare, dënohet me 250 euro gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. 2. Kur vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni kryhet nga kryesi i cili është i shoqëruar nga një fëmijë ose ndonjë person tjetër, kryesi dënohet me gjobë deri në 2 mijë e 500 euro ose me burgim deri në 1 vit. 3. Kur vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni kryhet në një apo më shumë nga rrethanat e mëposhtme, kryesi dënohet me burgim prej 6 muaj deri në 3 vjet”- përshkruhet vepra penale në Kodin Penal.

Te pika 3 e kësaj vepre tregohet se rrethanat që merren për bazë në pikën 3 të nenit 140 janë nëse i arrestuari nuk ka qenë i dënuar për vepër penale më parë, nuk tenton të ik apo largohet apo edhe reziston.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë thotë se ka hapësirë ligjore që dy shtetasit francezë edhe të dëbohen.

“Po, sipas ligjit parashihet dënimi plotësues – Dëbimi i të huajit nga territori i Republikës së Kosovës në kohëzgjatje prej 1-10 vjet”- thuhet në përgjigjet e Prokurorisë.