Prokuroria po e heton vdekjen e të riut nga Malisheva që u lëndua në vendin e punës

Një i ri nga komuna e Malishevës vdiq më 13.04.2025 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku po trajtohej që nga 07.04.2025, pasi ishte lënduar rëndë gjatë kohës sa ishte duke punuar, në vendin e tij të punës në fshatin Dragobil.

Prokuroria e Gjakovës ka konfirmuar për KALLXO.com se është duke e hetuar rastin për veprë penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”. Megjithatë, Prokuroria e Gjakovës nuk është përgjigjur në pyetjet e KALLXO.com nëse është intervistuar ose arrestuar ndonjë person në lidhje më këtë rast.

“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se është iniciuar rast për shkak të veprës penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Prokurori i Shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast.” – tha Drin Domi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore të Gjakovës më 14.04.2025.

Por, detaje të tjera për rastin ka treguar Agim Hyseni, nga Inspektorati Qendror i Punës. Sipas Hysenit, i riu ishte duke e pastruar pompën e kamionit i cili bën transportin e betonit.

“Paraprakisht e kam bë veç si një informatë për Inspektorat të Punës, por raportin final nuk e kam përfunduar akoma. Në momentin që e përfundojmë raportin, do ta njoftojmë Policinë. Janë intervistuar dy persona dhe janë marrë kamerat e sigurisë. Ka qenë duke e pastruar pompën e betonit (viktima). E kanë lanë kamionin ndezur, pompën dhe në momentin kur është liruar ajo i ka rënë në kokë”- ka sqaruar Hyseni për KALLXO.com më 14.04.2025.

Në vendin e ngjarjes në fshatin Dragobil kishte shkuar Hafir Rexha nga inspektorati i komunës së Malishevës, i cili për KALLXO.com tha se i riu fillimisht ishte dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, por për shkak të gjendjes së rëndë ishte nisur për në QKUK.

“Ne si inspektorat pasi kemi pranu informatën nga Polica kemi kontaktu me inspektorin e Punës dhe kemi shku në vendin e ngjarjes për të asistuar sepse çështja i takon inspektorit të punës. Gjatë procedurës që kemi qenë në vendin e ngjarjes bashkë me Policinë dhe Inspektoratin e Punës edhe ne si inspektorat komunal i kemi marrë të dhënat i kemi marrë shënimet, personi ka qenë në gjendje shumë të rëndë dhe është dërguar në QKMF. Më pas është dërgu në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku edhe fatkeqësisht ka ndërruar jetë. Për detaje tjera nuk mund të flasim akoma sepse nuk kemi pranuar raportin nga Inspektori i Punës”- tha mes tjerash Rexha.

KALLXO.com më 14.04.2025 ka kontaktuar edhe me përfaqësues të kompanisë “Paçarizi Beton” ku punonte viktima. Përmes telefonit ata konfirmuan se personi ishte lënduar në hapësirën e kompanisë, por thanë se nuk mund të deklarohen për rastin pasi që tashmë organet e drejtësisë janë duke e trajtuar.

Më 05.04.2025, një person kishte vdekur dhe një tjetër ishte lënduar në një vendpunishte në Veternik pas shembjes së dheut.

Kurse po ashtu në lagjen Veternik, një punëtor, shtetas i huaj kishte vdekur pasi kishte rënë nga një ndërtesë ku po kryhen punime, më 28.03.2025.