Prokuroria përmend lirimin e Sylejman Selimit si arsye për ta kundërshtuar lirimin e Kadri Veselit

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kundërshtuar kërkesën e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për lirim të përkohshëm.

Prokurori i Specializuar, në një përgjigje prej 20 faqesh, thotë se Veseli është i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe se për akuzat që rëndojnë ndaj tij parashihet si dënim i mundshëm edhe ai me burgim të përjetshëm.

Mes tjerash, Prokurori i Specializuar Jack Smith, e ka konsideruar si rrezik mbrojtjen në liri.

Në këtë dokument, përmendet edhe lirimi me kusht i ish- komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi që sipas tyre u bë disa ditë pasi ai ishte kontaktuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Në dokumentin e Prokurorit të Specializuar thuhet se kërkesa me lirim me kusht e Selimit ishte refuzuar më parë.

Në dokument përmendet edhe emërimi i ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi si këshilltar i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në kohën e koalicionit PDK-AAK-NISMA, dhe takimet që kishte me të vetë Veseli, në kohën kur Selimi ishte intervistuar ng Specialja.

“Në fund të vitit 2018, Selimi u arrestua me akuza që kishin të bënin me krime lufte (tortura dhe trajtimi mizor) ndaj të burgosurve në vendin e paraburgimit në Likoc. Përkundër një kërkese të mëparshme të pasuksesshme për lirimin nga burgu deri në tetor 2018, pasi ZPS e kontaktoi atë më 11 dhjetor 2018, Sylejman Selimi u lirua me kusht në janar 2019”, thuhet në raportin e prokurorit.

Prokurori i Specializuar, Jack Smith thekson se të njëjtën ditë, Veseli postoi një mesazh në media sociale, duke mirëpritur lirimin e Selimit nga burgu, dhe se sipas tij,  Veseli së bashku me Thacin dhe të tjerët  u takuan me Selimin të nesërmen.

“Selimi u emërua si këshilltar i Kryeministrit të Kosovës në fillim të shkurtit 2019. Intervistmi i tij nga ZPS-ja u mbajt më 6 shkurt 2019”.

Prokurori i Specializuar pretendon se ky është një model i qartë i ndihmës së pahijshme që i është bërë për dëshmitarët që janë intervistuar nga Specialja dhe se pohimi i mbrojtjes së Veselit për një rastësi të thjeshtë, është i paqëndrueshëm.

Tutje Prokurori i Specializuar përmend edhe kohën sa Veseli ka qenë në krye të Shërbimit të Inteligjencës së Kosovës (ShIK), duke thënë se funksionet e Veselit, përfshinin identifikimin dhe hetimin e kundërshtarëve të përceptuar.

“Më tej, agjentët e SHIK-ut u përfshinë në vrasjen e bashkëpunëtorëve të pretenduar gjatë mandatit të Veselit si shef”, thuhet në dokument.

Prokuroria pretendon se Veseli  ka të gjithë përvojën, aftësitë dhe rrjetin e nevojshëm për të synuar dëshmitarët kundër tij, duke përfshirë edhe mjete klandestine të cilat do të ishte e vështirë të gjurmohen.

Prokuroria kujton edhe zhvillimet e vitit 2017 kur u tentua shfuqizimi i Gjykatës Speciale nga disa deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Mbrojtja e  Veselit në anën tjetër kishte argumentuar  se ai ka qenë gjatë një mbështetës aktiv i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Ndërsa udhëheqësit shmangën vendosjen emrat e tyre drejtpërdrejt në lëvizje, praktikisht çdo anëtar i kualifikuar i PDK-së nënshkroi projektligjin. Nëse ka një çështje për të cilën partnerët e tyre të koalicionit gjithashtu mund të bien dakord, ajo ishte shfuqizimi i Dhomave të Specializuara”, thuhet në dokument.

Prokurori thekson se sot Veseli pretendon se ai ishte kundër iniciativës, por nuk citon asnjë deklaratë publike për atë qëllim, ndërsa përpjekjet po zhvilloheshin.

“Veseli përmend vetëm deklaratat e bëra pasi kishte ndodhur një reagim i paparë ndërkombëtar dhe partitë e opozitës kishin filluar një bojkot. Madje, edhe ato deklarata nuk janë aspak të qarta. Të thuash dobët se iniciativa nuk do të ishte në gjendje të kishte sukses, pasi ishte informuar në mënyrë të pasigurt për pasojat e tmerrshme të procedimit me të, është shumë ndryshe nga kundërshtimi i saj i vendosur që nga fillimi”, thuhet tutje në raport.

Sipas Prokurorit të Specializuar Smith, bërja e deklaratave publike selektive në mbështetje të Dhomave të Specializuara, qartë nuk përjashton përpjekjet e vazhdueshme, më pak të reklamuara për ta minuar atë.

Përgjigjen e plotë të Prokurorisë në kërkesën për lirimin e përkohshëm të Veselit mund ta gjeni në gjuhën angleze KËTU.

Më 5 nëntor 2020, Kadri Veselit i ishte konfirmuar aktakuza e ngritur nga Gjykata Speciale për krime lufte.

Prokurori i Specializuar kundërshton kërkesën e Kadri Veselit për lirim të përkohshëm