Foto: KALLXO.com
Prokuroria për vrasjen me thikë në Prishtinë: Motivet për momentin janë të panjohura
Një burrë ka vdekur si pasojë e plagëve që ka marrë nga goditja me thikë që u bë në drejtim të tij, mbrëmë (27.10.2024) në Prishtinë.
Një person është arrestuar në cilësinë të dyshuarit. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me rastin duke thënë se motivet e kësaj ngjarje janë ende të panjohura.
“Motivet dhe rrethanat tjera për momentin janë të panjohura, por të njëjtat do të kuptohen gjatë hetimeve të cilat do të zhvillohen nga kjo Prokurori” – theksohet në njoftim.
Sipas njoftimit, prokurorja kujdestare më 27.10.2024 në mbrëmje u njoftua nga Policia e Kosovës se në rrugën “Tirana” në Prishtinë ka ndodhur një therje me thikë dhe se viktima ka ndërruar jetë në vend të ngjarjes.
“Prokurorja kujdestare ka dalë në vendin e ngjarjes dhe së bashku me hetuesit policor kanë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me urdhër të prokurorit të shtetit është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes nga Policia e Kosovës, po ashtu me urdhër të Prokurorit trupi i pa jetë i gjetur në vendin e ngjarjes është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për të iu bërë Autopsia” – njoftoi Prokuroria.
Tutje u shtua se rasti penal është filluar në drejtim të veprës penale “Vrasja e Rendë” si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ku në këtë rast me vendim të prokurorit është ndaluar një person.
Prokuroria tha se brenda afatit ligjor, prokurori i shtetit do të paraqes në gjykatën kompetente kërkesën për caktimin e masës së sigurisë për të dyshuarin për këtë rast.
Vrasja e rëndë në Prishtinë, Policia: Viktima u godit disa herë me thikë