Prokuroria Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Prokuroria për plagosjen e gruas në Fushë Kosovë: Gjykata refuzoi propozimin për masën e arrestit shtëpiak

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e burrit të dyshuar për plagosjen e bashkëshortes së tij në Bresje të Fushë Kosovës.

Në njoftimin e Prokurorisë u shpjegua se si burri me inicialet I. A., ishte arrestuar më datë 02.08.2024 si i dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje”.

Prokuroria tha se më 04.08.2024 prokurori i shtetit ka ngritur aktakuzë me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I. A.

“Po ashtu, më datë 04.08.2024, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – dega në Fushë Kosovës, është mbajtur shqyrtimi fillestar në këtë çështje penale, ku Prokurori i Shtetit gjatë kësaj seance, duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të të pandehurit si dhe faktin se i pandehuri ka edhe një adresë tjetër të vendbanimit, ka propozuar masën e arrestit shtëpiak” – thuhet në njoftim.

Tutje u shtua se gjykata kishte refuzuar propozimin e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.

Prokuroria tha se gjykata ndaj të pandehurit I. A. kishte caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.

Tutje u tha se sot, më datë 06.08.2024, i pandehuri I. A. është arrestuar me dyshimin për kryerjen e veprave penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.

Gjithashtu u njoftua se i njëjti dyshohet edhe për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Mospërfillja e gjykatës”.

Prokuroria tha se në vendin e ngjarjes ka dal Prokurori i Shtetit, me qëllim të sigurimit të provave materiale, si dhe ka vizituar të dëmtuarën e rastit.

Në njoftim u shtua se ndaj të pandehurit është lëshuar Aktvendim mbi ndalim.

Haxhiu për rastin e plagosjes në Fushë Kosovë: I dyshuari ishte në mbajtje, u lirua edhe pse ishte recidivist