Prokuroria nuk i dorëzon provat, komandanti i nënstacionit policor në Zhur nuk deklarohet rreth fajësisë

Komandanti i nënstacionit policor në Zhur, Ziber Susuri ka dalë para Gjykatës së Prizrenit për t`u përballur me aktakuzën e Prokurorisë. Ai po akuzohet se ka ndërhyrë në një gjobë për kundërvajtje dhe ia ka kthyer një qytetareje patentë shoferin që i ishte konfiskuar nga Policia.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ariana Shaikovca, avokati Hazër Susuri ka thënë se i mbrojturi i tij në mungesë të provave nuk mund të deklarohet rreth fajësisë.

“Kërkojë nga prokurorja që në bazë të ligjit të përmbushë detyrimet e saj që kanë të bëjnë me zbulimin e provave për arsye se me aktakuzë dhe prova të pjesërishme të dorëzuara nga prokuroria nuk është përmbushur detyrimi i prokurorit”, tha avokati Susuri.

Ai shtoi se nga prokurorja Arijana Shaikovca, është dorëzuar vetëm kallëzimi penal por nuk i janë bashkangjitur provat e tjera të procedurës së zhvilluar pranë IPK-së me anë të së cilës nuk mund të provohen pretendimet e akuzës.

Pas kësaj, nga gjykatësi Skender Çoçaj, prokurorja e çështjes u obligua që t’i zbuloj provat dhe të njëjtat t’ia dorëzoj mbrojtjes dhe të akuzuarit.

Shqyrtimi i sotëm u ndërpre dhe u caktua për nesër, më 15 dhjetor.

Prokuroria në Prizren, me aktakuzën e datës 28 tetor 2021, komandantin e nënstacionit policor të Zhurit po e ngarkon për veprën penale falsifikim i dokumentit.

Ziber Susuri dyshohet se si person zyrtar ka ndërhyrë në fletëparaqitjen për kundërvajtje të lëshuar nga dy zyrtarë policorë ndaj një qytetareje sipas së cilës fletëparaqitje ajo kishte bërë kundërvajtje dhe të njëjtës i ishte shqiptuar gjoba në shumë prej 200 eurove, i ishte marrë patentë shoferi për tre muaj dhe i ishte shqiptuar një pikë negative.

Organi i akuzës gjithashtu thotë se në këtë fletëparaqitje Susuri ka shënuar të dhëna të rreme ku tek pjesa e gjobës ia bën gjobën 50 euro, anulon masën mbrojtëse për marrjen e patentë-shoferit dhe pikën negative duke fshirë me laps kimik.

I njëjti ka vënë nënshkrimin e tij tek “nënshkrimi i mbikëqyrësit” dhe ka shënuar numrin e ID-së së tij me të cilin nënshkrim, e sipas prokurorisë ka vërtetuar këtë dokument zyrtar që përmban të dhëna të rreme.