Ilustrim

Prokuroria nis hetimin mbi dyshimet për kurdisje të ndeshjeve të futbollit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është duke i trajtuar dyshimet për kurdisje të ndeshjeve në futbollin vendor, për të cilat raportuan mediat franceze të enjten mbrëmë.

“Duke u nisur nga shkrimet e publikuara ditëve të fundit në portalet vendore, lidhur me rastet e kurdisjeve të ndeshjeve futbollistike kosovare, Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se, është duke i trajtuar këto raste, andaj për shkak të integritetit të procesit në të cilën gjenden, nuk mund të japim detaje të tjera për opinionin e gjerë” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Media franceze “Le Parisien” ka raportuar për 9 të arrestuar në Francë, prej tyre katër nga Kosova, të cilët akuzohen për përfshirje në kurdisje të ndeshjeve të ndodhura në futbollin kosovar përmes kompanive të basteve.

“Le Parisien” e përmendi emrin e klubit të futbollit Llapi, si protagonist i kurdisjeve duke i akuzuar si të përfshirë kryesinë e klubit, shtabin teknik dhe disa lojtarë.

Klubi nga Podujeva dje ka reaguar me anë të një komunikate zyrtare, duke mohuar çdo pretendim të mediave franceze.

“K.F. Llapi ju njofton se nuk ka asnjë informatë të vetme të konfirmuar nga organet e hetuesisë rreth këtyre pretendimeve siç janë publikuara nga portalet dhe gazetat e ndryshme” – thuhet në reagimin e tyre.

Llapjanët kanë ftuar tifozët e tyre të mos shqetësohen dhe të mos bien pre, sipas tyre, e dezinformatave.

“Ne si klub nuk kemi as edhe më të voglin shqetësim rreth këtyre pretendimeve të pabaza dhe tendencioze dhe ftojmë edhe tifozët që mos të shqetësohen sepse nuk ka asgjë të vërtetë në këtë drejtim”- ka thënë klubi.