Graçanicë
Prokuroria nis hetimet për tenderin 1.4 milionësh të Graçanicës për mirëmbajtjen e rrugëve
Komuna e Graçanicës më 02.10.2024 hapi tenderin për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve. Tender ky me vlerë të parashikuar prej 1.4 milionë euro.
Më 30.10.2024, kjo Komunë anuloi tenderin, me arsyetimin se është e nevojshme të bëhen ndryshimet në paramasa dhe parallogaritje duke shtuar pozicione dhe duke ndryshuar sasi të caktuara.
Kjo do të thotë se Komuna ka thënë se ka nevojë që shtojë rrugë të cilat kanë nevojë për mirëmbajtje.
Nga ky vendim i Komunës së Graçanicës shkoi një ankesë nga njëri nga ofertuesit në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Përveç ankesës në OSHP edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar hetime për këtë tender.
“Lidhur me rastin për të cilin keni kërkuar informata, ju njoftojmë se prokurori i rastit është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast. Mirëpo, duke pasur parasysh që jemi në fazën fillestare të grumbullimit të provave lidhur me këtë rast, nuk mund të jepen informata më të detajuara”– thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Komuna anuloi tenderin pasi që shikoi ofertat e kompanive, sipas njoftimit për anulimin e tenderit ishin tri oferta.
‘NNT ABC’ dhe ‘El Bau’ ofertuan me çmim 1 milion e 372 mijë e 530 euro.
‘B Corp’ dhe ‘Fs C Ing’ ofertuan me çmim 1 milion e 261 mijë e 960 euro.
‘Via Egnatia’ dhe ‘Enggroup’ kanë ofertuar me çmim 1 milion e 172 mijë e 455 euro.
Ankesa në OSHP
E kjo solli ankesë në Gjykatën e Tenderëve, më 18.11.2024 nga grupi i Operatorëve Ekonomikë ‘Via Egnatia’ dhe ‘Enggroup’ .
Prej OSHP-së u kërkua që të anulohet vendimi i Komunës së Graçanicës për anulimin e tenderit dhe lënda të kthehet në ri-vlerësim.
Në kuadër të ankesës thuhet se Komuna e Graçanicës, pa arsyetim ligjor anuloi tenderin vetëm që mos të jepet kontrata për këtë grup të kompanive që pati ofertën më të ulët.
Sipas ankesës, Komuna e Graçanicës ka anuluar tenderin pasi që kuptoi se dy ofertat tjera ishin më të larta dhe që nuk i plotësonin kushtet për të fituar kontratë.
Tutje në ankesën që është publike në faqen e OSHP-së, sqarohen edhe mangësitë të cilat pretendohet të jenë në ofertat e dy grupeve tjera të kompanive aplikuese.
Arsyetimi i Komunës së Graçanicës për anulimin e tenderit, nga këto kompani konsiderohet si jo e ligjshme për shkak se ligji sipas tyre nuk e parasheh këtë arsye për anulimin e tenderit.
KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe tek Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik për të kuptuar se kur mundet të anulohet tenderi.
KRPP thotë se janë disa arsyetime që janë valide për anulimin e tenderit, e ato janë nëse do të ndodh apo ka ndodhur ndonjë shkelje ligjore që nuk mund të parandalohet me amendament; nëse të gjithë tenderët janë të papërgjegjshëm (asnjë ofertë nuk i plotëson kushtet e kërkuara); para hapjes së tenderëve, ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është bërë e nevojshme për shkak të ngjarjeve objektive dhe që mund të demonstrohen dhe/ose arsyeve që janë jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues dhe që nuk mund të parashikohen në kohën e inicimit të aktivitetit të prokurimit por kjo duhet të bëhet së paku tre (3) ditë para hapjes së tenderëve”.
Anulimi i kësaj procedure të prokurimit ka ndodhur pas hapjes së tenderëve.
Kjo e konfirmuar edhe nga vet Komuna e Graçanicës përmes një përgjigje me shkrim për KALLXO.com.
“Tenderi është anuluar pas hapjes së ofertave” – thuhet në përgjigjen e Komunës së Graçanicës.
Raporti i ekspertit shqyrtues
Anulimi i tenderëve, pas hapjes së ofertave po konsiderohet jo ligjore nga eksperti shqyrtues i OSHP-së, Ilir Halili, i cili thotë se anulimi është bërë në kundërshtim me nenin 62 të Ligjit për Prokurimin Publik.
Ky nen si arsye për anulimin e tenderit i jep të njëjtat me ato që KRPP ka kthyer në përgjigje, pra nëse ka ndodhur apo do të ndodhë ndonjë shkelje ligjore dhe nëse të gjithë tenderët përmbajnë çmime që tejkalojnë buxhetin.
“Sqarojmë se AK- KK Graqanicë as në njoftim mbi vendim të AK-së, e as në vendim të refuzimit të kërkesës për rishqyrtim, nuk kanë qenë në gjendje të japin një sqarim ose arsyetim konkret cilat qenkan ato pozicione apo sasi të cilat AK ka nevojë t`i ndryshoj”– thuhet mes tjerash në raportin e ekspertit shqyrtues të OSHP-së.
Eksperti thotë se edhe po të ishin të vërteta arsyet e Komunës së Graçanicës, nuk janë bazë e mjaftueshme për anulimin e tenderit, kjo për shkak se Komuna e ka mundësinë të jep edhe kontratë shtesë kompanisë që ekzekuton punët fillestare.
Eksperti shqyrtues në raport tutje thotë se dy ofertuesit tjerë në këtë tender përveç se me çmime më të larta se ankuesi, kanë ofertuar në kundërshtim me kushtet e dosjes së tenderit.
Krejt kjo për shkak se ankuesi tregon se ofertuesit tjerë kanë dhënë çmime për pozicione 2.11, 2.10 me shifra 0.004 euro dhe për pozicionin 1.04 të dy ofertat ishin 0.001 euro e që në dosjen e tenderit thuhet “Çdo numër i shënuar pas numrit të dytë (2) nuk do të merret për bazë në llogaritje të vlerës së ofertës”.
Shifrat prej 0.004 euro ishin për pastrimin e rrugëve me mekanizëm për borë në rrugët në zona urbane dhe ato rurale.
Kurse pretendimi i ankuesit se dy ofertuesit tjerë në pozicionin 1.04 kanë oferta 0.001 euro del të jetë më ndryshe. Në bazë të ofertave të cilat i ka marr si qasje KALLXO.com, del se dy ofertuesit tjerë në pozicionin 1.4 kanë ofertuar me vlerë 1.00 euro kurse në pozicionin 3.04 kanë ofertuar me vlerë 0.001 euro.
Eksperti shqyrtues i ka rekomanduar OSHP-së që këtë ankesë ta vlerësojë si të bazuar dhe ta dërgoj tenderin në ri-vlerësim.
Graçanica thotë se nuk e shkeli ligjin
Nga Komuna e Graçanicës, në përgjigje me shkrim për KALLXO.com thonë se arsyetimi i tyre për anulimin e këtij tenderi është i qartë.
“Sqarimi është shumë i qartë dhe nuk ka vend për tituj sensacionalë apo teori konspirative për fushata ditore politike kundër Komunës së Graçanicës”– thuhet mes tjerash në përgjigjen e kësaj Komune.
Tutje thonë se vendimin për anulimin e tenderit e morën më 29.10.2024 pas takimit në të cilin ishin të pranishëm drejtorët e departamenteve të shërbimeve publike, urbanizmit, ekologjisë dhe përfaqësuesit e kabinetit të Kryetares.
“Ka pasur më shumë konkluza dhe rekomandime, dhe të gjitha janë nxjerrë në bazë të arsyeve dhe faktorëve të sipërpërmendur. Pas takimit, departamentit të prokurimit iu dha udhëzimi që të ndërpritet procedura e tenderit, gjë që edhe është realizuar”– thuhet tutje në përgjigje.
Nga Komuna thonë se vendimi i tyre nuk është në kundërshtim me ligjin dhe se nuk është dëmtuar e as favorizuar asnjë ofertues dhe se procedura u anulua para analizimit të ofertave.
Nga kompania ‘Via Egnatia’ në anën tjetër thonë se Komuna nuk e respektoi kriterin e saj që tenderin t’ia jap kompanisë së përgjegjshme me çmimin më të ulët.
“Ne jemi diskriminuar pasi që edhe pse kemi pasur çmimin më të ulët dhe i kemi plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara, nuk jemi shpallur fitues. Vet fakti që OE konkurrent po u jepet tash një mundësi e re me i korrigju mangësitë dhe me i ndryshu edhe çmimet, tregon se atyre po tentohet të ju jepet një mundësi e re si favorizim, ndërsa vetvetiu po shihet se ne po diskriminohemi pasi që ligjërisht është dashur që tani të shpërblehemi me kontratë”– thonë nga ‘Via Egnatia’.
Tutje nga kjo kompani thonë se ky tender ka vite që del me të njëjtën paramasë dhe parallogari.
“Ku u bë që tash lindi nevoja për ndryshime kur tenderin nuk mundi ta fitoj OE i parapëlqyer i tyre i cili e kishte këtë kontratë qe shumë vite”– thonë tutje nga kjo kompani.
KALLXO.com në platformën E-prokurimi ka gjetur dy raste të nënshkrimit të kontratës, atë të vitit 2021 dhe të vitit 2023, me ç’rast tendering e kishte fituar kompania ‘B-Corp’ e cila sipas ofertës së vitit 2024 ka dal me ofertë në vendin e dytë.
Ankesën e ‘Via Egnatia’ dhe ‘Enggroup’ në Komunë, Graçanica e refuzoi më 07.11.2024.
“Po të vazhdonte me këtë aktiviteti siq ka qenë do të ishte i dëmshëm dhe i parealizuar për Komunen e Graqanicës”– thuhet mes tjerash në letrën e refuzimit.
Organi Shqyrtues i Prokurimit ende nuk e ka caktuar panelin shqyrtues dhe datën e mbajtjes së seancës për shqyrtimin e ankesës së ‘Via Egnatia’ dhe ‘Enggroup’.