Prokuroria nis hetimet për rrahjen e dy asamblistëve në Podujevë

Ragip Fetahu dhe Artrit Mulliqi, dy asamblistët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë sot dyshohet se janë rrahur në mes vete.

Lidhur me këtë rast, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj ka thënë se në koordinim me Policinë e Kosovës janë duke u ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për të ndriçuar rastin.

Ajo tha se me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”.

“Pas informimit të prokurorit kujdestar nga policia, me urdhër të njëjtit është iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘Lëndimi i lehtë trupor’. Prokuroria në koordinim me policinë janë duke i ndërmarre të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ta ndriçuar në plotëni këtë çështje penale” – tha Ulaj për KALLXO.com.

Gjatë ditës, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Ragip Fetahu ka bërë një reagim publik lidhur me ngjarjen që ka ndodhur sot në afërsi të Komunës së Podujevës.

Ai pretendon se është sulmuar fizikisht nga kolegu i tij, asamblisti Artrit Mulliqi.

Fetahu ka thënë se kjo ngjarja mund të jetë vijimësi e problemeve të brendshme partiake dhe mund të jetë pasi Mulliqit i ka munguar një votë për tu bërë shef i grupit parlamentar.

“Sot në oborrin e Komunës jam sulmuar fizikisht nga kolegu im, Artrit Mulliqi. Kjo mund të jetë vijimësi e problemeve të brendshme partiake dhe mund të jetë frustrim i tij për shkak se nuk ka arrit të sigurojë një votë që i ka munguar për t’u bërë shef i grupit” – ka thënë Fetahu.

Ai tutje tregoi se si ndodhi ngjarja për të cilën që të dyve iu desh që të shoqërohen edhe në stacionin policor.

Fetahu thotë se pas pauzës së shkurtër të kuvendit ka dal për të marrë një kafe dhe ujë në një Kafene pranë Kuvendit.

Gjatë kohës sa ishte duke u kthyer, Fetahu tha se pas tij ka ardhur Mulliqi, i cili sipas Fetahut iu është drejtuar fillimisht me disa pretendime dhe më pas e kap për këmishë duke e fyer e duke e ofenduar.

“Mulliqi më vjen nga pas dhe më drejtohet kështu; ku je ti që sponsoron lajme të rrejshme për mua. Unë i drejtohem; ti ke kërkuar votë për shef të Asamblistëve, secili e ka punën e tij, mos mu drejto mua kështu” – tha Fetahu.

Sipas këtij të fundit, pas kësaj bisede, Mulliqi e ka kapur atë në këmishe dhe e ka fyer e ofenduar. Fetahu thotë se ka marr të shara me nënë e familje.

Tutje, Fetahu thotë se ka tentuar disa herë ta largojë me duar por një veprim të tillë e ka pasur të pamundur, pasi Mulliqi nuk e lëshonte.

Fetahu thotë se pas kësaj kanë ndërhyrë disa persona për ta larguar dhe në tentim e sipër, Fetahu thotë se ka marr një goditje në pjesën e pasme të kokës duke i shkaktuar dhembje ekstreme të kokës dhe marramendje.

Për këtë ngjarje, asamblisti thotë se dëshmi i ka kamerat e komunës.

Fetahu thotë se pas kësaj situate është larguar me shpejtësi nga oborri i komunës, sepse sipas tij Mulliqi tërë kohën e shante dhe tentonte të afrohej.

“Nuk kam pas asnjëherë probleme me këtë person. Ky është inskenim i pastër i formacioneve të brendshme parapolitike të LVV, në raport me mua për shkak të qëndrimeve të mia parimore në interes të qytetarëve të Llapit” – tha tutje Fetahu.

Ai po ashtu tha se do të jetë përjetë vetëm në interes të tyre, e jo pjesë e grupacioneve dhe formacioneve fetare e parapolitike.

Për këtë ngjarje zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë se në afërsi të objektit të komunës ka pasur një mosmarrëveshje, ku si pasoj e kësaj në stacionin policor janë shoqëruar dy persona që dyshohet të jenë përfshirë në rast.

Ahmeti tha se rasti është duke trajtuar në koordinim me prokurorin e shtetit.

“Rreth orës 11:00 jemi  informuar se ka një mosmarrëveshje ne afërsi të objektit të  komunës së Podujevës. Njësia policore ka dal në vendngjarje ku për intervistimi ka shoqëruar ne stacion policor dy persona të përfshirë në këtë ngjarje e cila  është duke u trajtuar në koordinim me prokurorin e shtetit” – ka thënë Ahmeti.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.

Ai ka thënë se nuk është në dijeni nëse ka ndodhë diçka jashtë Komunës, mirëpo tha se seanca e sotme është bllokuar pasi Lidhja Demokratike e Kosovës.

“LDK ka bllokuar foltoren e kuvendit, më pas është ndërpre seanca. Jashtë komunës çka ka ndodhë nuk e di” – tha ai.

KALLXO.com ka provuar të marr një qëndrim edhe nga ana e Kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqi mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marr përgjigje

Mirëpo, për bllokim të seancës kryetari i degës së LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyseni ka dhënë një version tjetër.

Ai ka thënë se seanca është bllokuar pasi ka pas një konflikt fizik në mes asamblistëve të LVV-së.

“Ka pas konflikt fizik në mes asamblistëve të LVV-së për këtë arsye është blloku seanca” – tha ai.

Tutje Hyseni ka thënë se gjatë seancës ka pas protestë edhe nga ana e asamblistëve të LDK-së .

Kjo pasi këta të fundit kanë kërkuar që të vendoset si pikë e rendit të ditës tema se pse, sipas Hysenit, ju kanë ndalë mëditjet asamblistëve pa bazë ligjore dhe njëkohësisht atyre Hyseni tha se nuk iu është dhënë asnjë lloj vendimi.