Prokuroria nis hetimet për kërcënimet ndaj kryetarit të Zubin Potokut
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimet në lidhje me kërcënimet ndaj kryetarit të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni.
“Është njoftuar prokurori. Është udhëzuar me hap rast të veprës penale “Kanosje”. Jemi në koordinim me Policinë”- tha ai për KALLXO.com.
Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri po pretendon se është kërcënuar nga një person dje më 02.09.2024.
Përmes një postimi në Facebook ai pretendon se është duke u kërcënuar dy herë brenda tre muajve të fundit nga i njëjti profil, që sipas tij, paraqitet të jetë një oficer i MUP-it të Serbisë i angazhuar në Republikën e Kosovës.
“Do të marrësh një plumb kush të ka thirrë në festën e diplomimit o bande terroriste okupatore, mirë ta kam mbajt mend fytyrën”- thuhet në kërcënimin që pretendoi se iu bë Zeqiri.
Zeqiri ka shkruar në Facebook e tij se ka një përgjigje për kërcënuesin.
“Përgjigjja e ime është: Këtu jam dhe Këtu do të jem, Dem Baba Dem” – ka shkruar ai.
Në një përgjigje për KALLXO.com kryetari tha se e ka denoncuar rastin në polici.
“Rastin në polici herën e parë edhe tash e kam lajmëru. Me thirrjet e mia në maj, i njëjti ma ka çu një kërcënim me qato fotografi edhe qashtu ka qenë një kërcënim me shkrim dhe është i lajmërum. Mirëpo informacionet që i kemi marrë prej organeve të policisë, ky diku prej së jashti e ka shkru këtë kërcënim prej jashtë, nuk ka qenë brenda Kosovës. Natyrisht e pashë të arsyeshme se herën e parë nuk e kam publiku për shkak të hetimeve, por tash masi po vazhdon, e pashë të arsyeshme me e ba publike. 31 maj ka qenë hëra e parë që ka kërcënu, hera e dytë është qekjo d.m.th me të dytin, mbramë para orës 12 të natës diku”- ka thënë Zeqiri për KALLXO.com
Kryetari i Zubin Potokut pretendon se u kërcënua, publikon mesazhet