Prokuroria nis hetimet ndaj një personi për kërcënim ndaj presidentit Thaçi

Prokuroria në Prishtinë ka njoftuar se ka filluar hetimet ndaj personit me inicialet A.G., nën dyshimin se ka kërcënuar presidentin e vendit, Hashim Thaçi, përmes rrjetit social ‘Facebook’.

Sipas njoftimit, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave lidhur me këtë rast.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin se pas marrjes së informatave se personi me inicialet A.G. ka kërcënuar presidentin e Republikës së Kosovës, H.Th, përmes rrjetit social “Facebook”, ka autorizuar Policinë e Kosovës, për grumbullimin e informatave lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Më 27 mars, Policia e Kosovës kishte arrestuar një person tjetër nën dyshimin se e kishte kërcënuar me jetë presidentin Thaçi.

Për këtë kërcënim ishte arrestuar K.P., 40-vjeç, nga rajoni i Mitrovicës.