Prokuroria nis hetimet ndaj ish-ministrit Arben Vitia

Prokuroria e Prishtinës e ka konfirmuar për KALLXO.com se ka filluar hetimet ndaj ish-ministrit të shëndetësisë Arben Vitia.

Lajmin për KALLXO.com e ka bërë të ditur zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Laureta Ulaj.

Hetimet ndaj ish-ministrit Vitia kanë nisur lidhur me disa tenderë të dhënë nga Ministria e Shëndetësisë gjatë kohës sa Vitia ishte ministër i kësaj ministrie.

KALLXO.com kishte raportuar me rastin e nënshkrimit të kontratës për blerje të maskave nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Në bazë të kontratës së publikuar në platformën për prokurim elektronik do të blihen: 4 mijë copë maska me çmim prej 8 euro e 50 centë, të cilat u prodhuan në Kinë.

Për blerjen e këtyre maskave do të shpenzohen në total 34 mijë euro; veshje dhe mbrojtëse për tërë trupin të madhësisë XXL, 4 mijë copë. Një e tillë kushton 7 euro dhe kosto e përgjithshme për to kap vlerën 28 mijë euro.

Këto produkte janë me origjinë nga Turqia; 2 mijë mburoja për fytyrë në çmim prej 5 euro e 60 centë.

Vlera e përgjithshme – 11 mijë e 200 euro. Përderisa në paramasë ku prodhuesi dhe vendi i origjinës figuron vetë si “Herenze”, me një kërkim në google.com merret vesh se këto pajisje prodhohen në Gjermani; doreza nitrile, pa talk, të madhësisë M dhe L, në sasi prej 94 mijë e 600 copë, me çmim për copë prej 6 centë apo në vlerë totale prej 5 mijë e 676 euro. Ato janë me origjinë nga Malajzia.

Gjithashtu, për personelin, Ministria blen dezinfektues për duar së bashku me dispenzer në sasi prej 2 mijë litra me çmim prej 6 euro për copë apo 12 mijë euro në vlerë të përgjithshme, produkt ky i cili prodhohet në Shqipëri.

Tutje thuhet se Ministria blen termometër infra të kuq për ballë, 150 copë, me çmim për copë prej 23.5 euro apo në total 3 mijë e 525 euro. Termometrat janë me origjinë nga Turqia.

Institucionet e Kosovës kanë paguar çmime të fryra për maskat për mbrojtje nga COVID-19, duke paguar deri në 12 euro për një maskë të tipit FFP2 gjatë kohës së pandemisë.

KALLXO.com ka gjetur se çmimi i maskave është fryrë në tregun e brendshëm, meqë çmimi i deklaruar në Doganë, me rastin e importit të tyre, ishte shumë më i ulët.

Të dhënat e Doganës së Kosovës thonë se gjatë vitit 2020 janë importuar 36 mijë maska të tipit FFP2. Prej tyre, 31 mijë e 600 apo 87% kanë hyrë në Kosovë me një çmim prej vetëm 2 euro e 46 centë. Ky çmim i deklaruar në Doganën e Kosovës ishte me qëllim të zhdoganimit të mallit dhe i njëjti është verifikuar nga Dogana. Vendi i prodhimit të këtyre maskave, që kanë hyrë në shtatë ngarkesa të ndryshme, është Kina.

Kurse 4 mijë e 400 maska apo 13% e tyre çmimi i zhdoganimit i deklaruar në Doganë ka qenë më i lartë. 2,000 maska të njëjta kanë hyrë me çmime të deklaruara prej 4.9 euro. 800 maska të tipit FFP2 kanë hyrë me një çmim prej 7.38 euro dhe 1,200 të tjera kanë hyrë me çmim 9.84 euro. Kurse 400 maska të tipit FFP2 çmimi i deklaruar në kufi ishte 19.69 euro.

Për dallim nga çmimi i importit, institucionet të ndryshme të Kosovës kanë paguar shumë më shtrenjtë për këto maska përmes kontratave të negociuara e pa konkurrencë. Çmimet e kontraktuara nga këto institucione për maskat FFP2 kanë dallim deri në 9.5 euro me çmimin e deklaruar në Doganë nga kompanitë importuese.