
Martin Berishaj, Foto:Facebook
Prokuroria nis hetimet ndaj ambasadorit Martin Berishaj, dyshohet për keqpërdorim rreth procedurës së transportimit të votave të mërgimtarëve
Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se ka nisur hetimet ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ambasadori Berishaj dyshohet për keqpërdorim të procedurës së transportimit të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës në diasporë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë në vazhdën e aktiviteteve për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pas raportimeve lidhur me keqpërdorimet e mundshme të Ambasadorit M.B. rreth procedurës se transportimit të votimeve të qytetareve të Republikës së Kosovës në diasporë, për çka Prokurori i Shtetit ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore nëse në raportimet në fjalë përmbushen elementet e ndonjë vepre penale që lidhet me procesin e zgjedhjeve, me qëllim të ruajtjes së këtij procesi”- thuhet në njoftimin Prokurorisë të lëshuar të enjten, më 06.02.2025.
Prokurori i Shtetit, sipas njoftimit, në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha organet ligjzbatuese do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të parandalimit të dëmtimit të procesit zgjedhor.
Ndërkaq, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është duke vlerësuar nëse tërheqja e pakove me fletëvotime nga kutia postare e KQZ-së në Zagreb (Kroaci) është bërë siç parashihet me aktet nënligjore.
“Lidhur me lajmin që po qarkullon për tërheqjen e pakove me fletëvotime nga kutia postare e KQZ-së në Zagreb (Kroaci), sqarojmë se do të vlerësohet nëse tërheqja e pakove me fletëvotime nga kjo kuti postare është bërë sipas akteve nënligjore dhe KQZ do të marrë vendim meritor”- ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.
Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 09.02.2025.