Prokuroria e Gjilanit

Prokuroria ngrit Aktakuzë ndaj dy personave - lidhur me vrasjen në Gjilan më 2024

Prokuroria e Gjilanit ka ngritur Aktakuzë ndaj dy personave, në lidhje me vrasjen në Gjilan, më 07.11.2024.

Sipas komunikatës së Prokurorisë të lëshuar më 23.01.2025, vrasja e S.O. në Gjilan ndodhi pas një konflikti mes palëve të ndodhur para dy vjetëve.

“I pandehuri V.S., më 7 nëntor 2024, rreth orës 14:00, në rrugën “Mërgimtarët e Gjilanit”, në Gjilan, me dashje, për shkak të një konflikti fizik të ndodhur para dy vjetëve, ka privuar nga jeta tani të ndjerin S.O., në atë mënyrë që derisa i ndjeri ishte duke hyrë në veturë, i afrohet dhe me armë e gjuan në pjesën e pasme të shpinës, ku pasi rrëzohet në tokë e godet me grusht dhe shqelm dhe më pas së bashku me të pandehurin F.M. janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërsa, i ndjeri për shkak të plagëve të marra ka ndërruar jetë.” – thuhet në njoftim.

Prokuroria ka njoftuar, më tej, se V.S. akuzohet për “vrasje të rëndë” dhe për “armëmbajtje pa leje”, ndërsa F.M. akuzohet për “dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprave penale”.

“I pandehuri F.M., që nga data 07 – 12 nëntor 2024, në vende të ndryshme në Gjilan, me dashje ka ndihmuar të pandehurin V.S., në fshehjen – mos zbulimin e kryesit të veprës penale të vrasjes së rëndë.” – theksohet në komunikatë.

Të pandehurit V.S. dhe F.M. gjenden në masën e paraburgimit, që nga data 12.11.2024.

Dy tashmë të akuzuarit për vrasjen, që ndodhi në Gjilan më 07.11.2024, ishin dorëzuar në Polici, më 12.11.2024.

KALLXO.com ka raportuar për rastin në fjalë:

Kërkohet paraburgim për dy personat e dyshuar për rastin e vrasjes që ndodhi më 07 nëntor në Gjilan