Prokuroria në Prizren prezanton raportin e punës për vitin 2019

Prokuroria Themelore në Prizren  ka mbajtur gjatë ditës së sotme konferencë për media në të cilën u prezantua raporti i punës për vitin 2019 dhe objektivat e kësaj prokurorie për vitin 2020.

Në këtë konferencë, kryeprokurori Admir Shala ka thënë se Prokuroria në Prizren nga vitet paraprake në fillim të vitit 2019 për personat madhor dhe të mitur ka trashëguar gjithsej 987 kallëzime penale me 1,642 persona.

Ndërkaq, gjatë periudhës Janar – Dhjetor të vitit 2019, kundër personave madhor dhe të mitur janë pranuar 3,474 kallëzime penale me 4,720 persona, që do të thotë se gjithsej në punë kanë qenë 4,461 kallëzime penale me 6,362 persona.

Ndërsa gjatë vitit 2019 nga të gjitha departamentet  janë kryer 3,591 kallëzime penale me 4,961 persona, kurse, në fund të këtij viti në punë kanë ngelur 870 kallëzime penale me 1,401 persona.

“Gjatë periudhës Janar – Dhjetor 2019, në Departamentin e Përgjithshëm janë ngritur 2,105 aktakuza kundër 2,776 personave, ndërsa në Departamentin e Krimeve të Rënda janë ngritur 103 aktakuza kundër 161 personave”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Prizrenit.

Kryeprokurori në konferencën e mbajtur për media ka thënë se pranë Gjykatës Themelore në Prizren, dhe degëve të kësaj, prokurorët e Prokurorisë Themelore në Prizren, kanë përfaqësuar dhe mbrojtur aktakuzat, duke marrë pjesë në gjithsej 11,021 seanca gjyqësore.

Shala poashtu ka potencuar se Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë vitit 2019 ka qenë e përkushtuar në zgjidhjen e rasteve, duke aplikuar procedurat alternative siç janë: marrëveshja mbi pranimin e fajësisë dhe ndërmjetësimi, ku përmes zbatimit të procedurave alternative janë kryer 701 raste ndaj 883 personave.

Tek rastet e dhunës në familje, Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se kanë punuar në 25 kallëzime me 69 persona, ndërsa, të pranuara në punë kanë qenë 259 kallëzime penale me 290 persona.

“Gjithsej, në punë gjatë vitit 2019 kanë qenë 248 kallëzime penale me 359 persona. Gjatë kësaj periudhe raportuese janë kryer 260 kallëzime penale me 297 persona, dhe në fund të kësaj periudhe kanë ngelur në punë 24 kallëzime penale me 62 persona”, thuhet në njoftim.

“Ndërsa, sa i përket veprave penale që kanë të bëjnë me korrupsionin zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, të trashëguara nga vitet paraprake kanë qenë 25 kallëzime penale me 58 persona, të pranuara 96 kallëzime penale me 212 persona. Gjithsej në punë kanë qenë 121 kallëzime penale me 270 persona, prej tyre janë kryer 96 kallëzime penale me 190 persona. Ndërsa për lëndët e korrupsionit në Departamentin e Krimeve të Rënda, janë ngritur 35 aktakuza kundër 55 personave, ndërsa, në Departamentin e Përgjithshëm janë ngritur 7 aktakuza kundër 7 personave. Në punë në fund të vitit 2019 kanë mbetur 25 kallëzime penale me 80 persona”, njofton prokuroria.