Prokuroria në Mitrovicë i përgjigjet ministres Haxhiu: Kërkesat e Policisë i trajtuam me urgjencë

Pretendimeve të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se ka pasur mosveprim në raport me kërkesat e Policisë së Kosovës në rastin e Faton Hajrizit iu është përgjigjur Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Në një përgjigje të kësaj prokurorie për KALLXO.com mohohet se kërkesat e Policisë nuk janë trajtuar me urgjencë.

“Të gjitha kërkesat e Policisë janë trajtuar me urgjencë” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë, teksa shtohet se kanë vepruar sipas ligjit lidhur me këtë rast, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e caktuara.

Prokuroria e Mitrovicës thotë se ka paraqitur autorizimin për publikimin e fotos së të dënuarit F.H., nëpër media duke përfshirë televizione publike dhe private, është zbatuar kontroll, janë siguruar video incizime, si dhe janë siguruar prova tjera.

Ministrja Haxhiu pas intervistimit që pati në Departamentin e Hetimeve të Policisë më autorizim të Prokurorisë Speciale në një paraqitje për media tha se për këtë çështje iu është dashur që të takohet me ushtruesin e detyrës të Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

“Vetëm në rastin që ka ndodhur të Faton Hajrizit na është dashur që të kemi takim me kryeprokurorin Besim Kelmendi për të kërkuar vëmendje të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për shkak të mosverpirmit të prokurorit të rastit në raport me kërkesat e Policisë” – tha Haxhiu, më 23.07.2024.

KALLXO.com për këto pretendime i ka dërguar pyetje edhe u.d. Kryeprokurorit, mirëpo i njëjti deri në publikimin e këtij artikulli nuk është përgjigjur.

Përgjigje u kërkuan edhe nga Policia për të parë nëse pretendimet e ministres Haxhiu qëndrojnë, mirëpo as Policia nuk ka kthyer përgjigje.

Rasti i Faton Hajrizit, Haxhiu thotë se iu desh të takohet me u.d. Kryeprokurorin e Shtetit për shkak të “mosveprimit të Prokurorisë së Mitrovicës”

Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës më 06.07.2024.

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona që dyshohet se e kishin ndihmuar të arratisej.

Faton Hajrizi i cili kërkohej nga autoritetet e Serbisë për vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri, është vrarë në fshatin Trbushnicë, në pjesën perëndimore të Serbisë.

Më 19.07.2024, mediumi serb, N1info ka raportuar se ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se Hajrizin e ka raportuar një vendas nga i cili i ka kërkuar ujë. Sipas Daçiq, ai nuk ka pasur “plan të dorëzohet dhe ka qëlluar nëntë të shtëna në drejtim të policisë që e ka rrethuar”.

Ndërsa, Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë kishte thënë se është duke e kërkuar intensivisht Faton Hajrizin, si i dyshuar për incidentin në Lloznicë, në të cilin një zyrtar policor vdiq e një tjetër u plagos më 18.07.2024, në pjesën perëndimore të Serbisë.

Kjo Ministri publikoi fotografinë e Hajrizit, më 19.07.2024, dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i ndanin informatat me Policinë.

Më 18.07.2024 autoritetet e Serbisë pretendonin se në vendin ku u vra polici, Nikolla Krsmanoviq, ishte gjetur pasaporta e Artan Hajrizit, vëllait të Faton Hajrizit.

Faton Hajrizi ishte dënuar për vrasjen e një ushtari rus të KFOR-it. Në kohën kur ai e kishte kryer vrasjen ishte vetëm 15-vjeçar.