Prokuroria në Hagë rishikon aktakuzën ndaj komandant “Ujkut”

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka bërë  rishikimin e aktakuzës ndaj Pjetër Shalës i njohur si komandant “Ujku”, i akuzuar për krime lufte.

“Aktakuza e rishikuar dhe materiali mbështetës, demonstrojnë, se ekziston dyshimi i bazuar se Pjetër Shala ka kryer ose ka marrë pjesë në kryerjen e krimeve brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara”, thuhet në njoftimin e ZPS.

ZPS ka kërkuar që gjyqtari i procedurës paraprake, të konfirmojë aktakuzën e rishikuar, identiteti i ndonjë dëshmitari ose viktime të mos zbulohet për publikun dhe t’i caktohen pseduonime dëshmitarëve e viktimave që mund të paraqiten.

Tutje ZPS ka udhëruar që përkohësisht të mos bëhet zbulimi i aktakuzës së rishikuar për publikun.

Kujtojmë se, Shala për herë të parë është paraqitur në Gjykatën Speciale më 19 prill, ku është deklaruar i pafajshëm.

Aktakuza pretendon se Shala kishte kryer krime të luftës, në fabrikën e metalit në Kukës së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Pjetër Shala së bashku me persona të tjerë, si Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi, dyshohet se kishin dërguar në qeli persona të ndryshëm në mënyrë të kundërligjshme duke i prangosur.

Shala akuzohet se i kishte keqtrajtuar të ndalurit në këtë qeli dhe i kishte rrahur me mjete të ndryshme.

Sipas Prokurorisë personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Aty përshkruhen pretendimet se Pjetër Shala, Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi kishin marrë në pyetje dhe rrahur një person me shufër metalike, shkop bejsbolli dhe armë.

Madje në aktakuzë thuhet se të ndaluarit ishin rrahur mizorisht edhe pse ishin të plagosur me armë dhe njëri nga ta pasi nuk kishte pasur ndihmë mjekësore kishte ndërruar jetë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pos të tjerash pretendon se si pasojë e keqtrajtimit të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës shumë viktima humbën vetëdijen, pësuan thyerje eshtrash dhe u mbuluan me gjak.

Sipas prokurorit të specializuar, Shala ngarkohet me akuza për vrasje të paligjshme, torturë, ndalim arbitrar dhe trajtim mizor.

Për këto akuza Pjetër Shala ishte arrestuar me 16 mars në Belgjikë, ndërsa ishte transferuar në Hagë me datë 15 prill të këtij viti.

Mbahet seanca e radhës ndaj Pjetër Shalës, i njohur si komandant ‘Ujku’