Prokuroria ndryshon aktakuzën ndaj të akuzuarit për krime lufte, Zoran Gjokiq
Prokuroria Speciale e ka zgjeruar aktakuzën ndaj serbit të akuzuar për krime lufte, Zoran Gjokiq.
Gjokiq, akuzohet për krime lufte të kryera gjatë muajve mars-prill të vitit 1999, në lagjet Kristal dhe “Te Soliterat” që tani quhet “Rrokaqielli” në Pejë.
Prokurorja e rastit Habibe Salihu, deklaroi se ka bërë zgjerimin dhe ndryshimin e aktakuzës.
“Pasi që gjatë shqyrtimit gjyqësor, provat e shqyrtuara tregojnë se gjendja faktike e paraqitur në aktakuzë është ndryshuar. Në anën tjetër nga administrimi i provave gjatë shqyrtimit gjyqësor është zbuluar se i akuzuari Zoran Gjokiq më 28 mars 1999, ka kryer dhe një vepër tjetër penale, për këtë kam bërë zgjerimin dhe ndryshimin e aktakuzës”, deklaroi prokurorja Salihu.
Mbrojtja e të akuzuarit Gjokiq, avokati Ljubomir Pantoviq deklaroi se ndryshimi dhe zgjerimi i aktakuzës është bërë në mënyrë të paligjshme.
“Unë nuk e kundërshtoj të drejtën formale të Prokurorisë për zgjerim dhe ndryshim të aktakuzës, por dyshoj se kjo është bërë në mënyrë të jashtëligjshme. Ky ndryshim dhe zgjerim nuk e ka arsyetimin, ashtu që ne s’mund të shohim se në cilat prova është bazuar të ky zgjerim dhe ndryshim i aktakuzës”, deklaroi avokati Pantoviq
Ai poashtu shtoi se i nevojiten dy javë kohë, për t’u përgatitur për aktakuzën e re.
Gjykata vendosi që me kërkesë të avokatit të akuzuarit, pasi u bë ndryshimi dhe zgjerimi i aktakuzës i dha kohë mbrojtjes për t’u përgatitë për aktakuzën e ndryshuar dhe zgjeruar.
Zoran Gjokiq akuzohet nga Prokuroria Speciale se më datë 29 mars 1999, në lagjen Kristal të Pejës, si pjesëtar i grupeve kriminale, të veshur me uniforma policore, ushtarake dhe paramilitare serbe kishin hyrë dhunshëm në shtëpitë e shqiptarëve dhe pasi i kanë maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, kanë plaçkitur dhe i kishin detyruar banorët të dalin nga shtëpitë e tyre e pastaj i kanë vrarë.
Ndërsa me datë 28 mars të vitit 1999, në lagjen “Te Soliterat” që tani quhet “Rrokaqielli” në Pejë, duke bashkëvepruar me një grup të organizuar kriminal të nacionalitetit serb të veshur me uniforma policore, paramilitare dhe ushtarake i pandehuri së bashku me personat e tjerë hyjnë dhunshëm në shtëpitë e qytetarëve, duke i urdhëruar që dhunshëm të dalin nga shtëpitë e tyre. Në atë mënyrë që i kanë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre duke i ndarë në drejtime të kundërta, disa anëtarë të familjes në drejtim të Shqipërisë ndërsa pjesën tjetër në drejtim të Malit të Zi.
Sipas prokurorisë, Zoran Gjokiq akuzohet për veprat penale krime lufte në shkelje të rëndë të Konventës së Gjenevës dhe krime lufte në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar.
Seanca e radhës u caktua, për datën 4 shkurt në ora 10:00.