Prokuroria ndalon tre persona për plagosjen e dyfishtë në Viti

Tre persona janë ndaluar nga Prokuroria në Gjilan për “Vrasje të rëndë në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ lidhur me plagosjen e dy personave që ndodhi në Viti më 08.08.2024.

Sipas Policisë, të plagosurit janë vetë dy prej të pandehurve. N.B dhe A.B. dyshohet se janë plagosur gjatë të shtënave me armë zjarri.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar tre (3) persona, në kohëzgjatje prej 48 orëve, të pandehurit N.H. dhe N.B., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale ‘Vrasja e rëndë në tentativë’’ dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’  dhe të pandehurin A.B., për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Dy të plagosurit kanë kërkuar ndihmë mjekësore fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Pozheran të Vitisë, pastaj janë transferuar në Spitalin Regjional në Gjilan. Sipas Policisë, ata janë jashtë rrezikut për jetë.

Prokuroria Themelore në Gjilan thotë se do të kërkojë masën për sigurimin e prezencës së tyre në procedurë penale, ndaj të pandehurve brenda afatit ligjor.

Policia tha se ka konfiskuar dy armë zjarri.

Të shtëna me armë zjarri, dy të plagosur në Viti