Prokuroria ndalon për 48 orë personin e dyshuar për kanosje ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi

Prokuroria e Prishtinës, më 10.10.2024 ka njoftuar se pas publikimit të informatave rreth kërcënimit që ka marrë gazetari Vehbi Kajtazi, për shkak të punës dhe profesionit të tij, Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë kanë identifikuar dhe siguruar prezencën e të dyshuarit në procedurë penale.

Sipas njoftimit, fillimisht Policia ka arrestuar të dyshuarin, ndërkaq, me urdhër të prokurorit i dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Kanosja” e paraparë me Kodin Penal.

Prokuroria në koordinim me Policinë po vazhdojnë me ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore lidhur me këtë rast, përfundon komunikata.

Më 09.10.2024 Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar me shqetësim të jashtëzakonshëm për kërcënimin me jetë që i është bërë gazetarit Vehbi Kajtazi.

“Të jesh i sigurtë që premtimin do ta mbaj”; “Unë e ti së bashku në ferr”, ishin disa mesazhe kërcënuese ndaj gazetarit në fjalë, sipas AGK-së.

Më këtë rast AGK ka kërkuar nga autoritetet përgjegjëse dhe organet e rendit që të ofrojnë siguri për gazetarin Kajtazi dhe që ta trajtojnë me urgjencë kërcënimin që ai ka marrë mbrëmjen e 8 tetorit, përmes një mesazhi në llogarinë e tij në “Facebook”.