Prokuroria mirëpret vendimin e Apelit në rastin e Gucatit dhe Haradinajt

Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting, ka mirëpritur vendimin e sotëm të Apelit lidhur me Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn.

Paneli i Gjykatës së Apelit sot ka marrë vendim që ta ulë për 3 muaj dënimin e shqiptuar ndaj dy ish-krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe prokurori Whiting, i cili ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë të ndjekë penalisht të gjitha rastet e frikësimit të dëshmitarëve, hakmarrjes ndaj dëshmitarëve dhe pengimit të drejtësisë.

“Unë e mirëpres aktgjykimin e sotëm nga Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara që përforcon sundimin e ligjit në Kosovë dhe i dërgon një mesazh të qartë kujtdo që përfshihet në frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen ndaj dëshmitarëve dhe pengimin e drejtësisë” -thuhet në njoftim.

Tutje është bërë e ditur se ZPS-ja do të vazhdojë të hetojë dhe ndjekë penalisht këto krime.

“ZPS-ja i merr këto krime jashtëzakonisht seriozisht dhe do të vazhdojë të hetojë dhe ndjekë penalisht këdo dhe të gjithë ata që përfshihen në këtë akt në çdo rast”-përshkruhet në njoftim.

Çështjen gjyqësore Prokuroria e ka ndërlidhur me administrimin e drejtësisë dhe sundimin e ligjit.

“Kjo çështje gjyqësore lidhet me kushtet që kërkohen për administrimin siç duhet të drejtësisë  dhe çfarë është e nevojshme për ta bërë sundimin e ligjit realitet” – vazhdoi  Whiting.

Sipas, Alex Whiting dëshmitarët duhet të dëshmojnë pa frikë.

“Dëshmitarët duhet të kenë mundësinë të dëshmojnë pa pasur frikë nga hakmarrja dhe shpagimi”-sqarohet në njoftim.

Paneli i Gjykatës së Apelit në çështjen gjyqësore kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, i përbërë nga gjykatësit Mishele Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen, shqiptoi sot aktgjykimin e parë të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Paneli i Apelit la në fuqi verdiktin e fajësisë për Gucatin dhe Haradinajn për frikësim gjatë procedurës penale (pika 3), shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedura zyrtare (pika 5), dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të identiteteve dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur (pika 6).

Paneli i Apelit më tej la në fuqi, me përjashtim të gjykatësit Ambos që nuk u pajtua, verdiktin e fajësisë së Gucatit dhe Haradinajt për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, nëpërmjet kërcënimit të rëndë (pika 1).

Paneli i Apelit prapësoi konstatimin e trupit gjykues për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi (pika 2) dhe i shpalli të pafajshëm për këtë pikë.

Bazuar në konstatimet e tyre, shumica e panelit të Apelit uli dënimin e Gucatit dhe Haradinajt nga katër vjet e gjysmë të dhënë nga trupi gjykues, në katër vjet e tre muaj burgim, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim.

Paneli i Apelit la në fuqi dënimin shtesë me një gjobë prej njëqind eurosh (100 euro).

Gjatë shqiptimit të aktgjykimit, paneli i Gjykatës së Apelit theksoi se është me rëndësi themelore për përmbushjen e misionit të Dhomave të Specializuara që individët të cilët vijnë për të dhënë dëshmi, shpesh lidhur me përvoja traumatike ose të vështira, ta bëjnë këtë pa pasur frikë.

“Mbrojtja e dëshmitarëve nga frikësimi dhe dëmtimi është në themel të çdo sistemi të drejtësisë penale, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara. Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë, pra, me administrimin e duhur të drejtësisë, integritetin dhe sigurinë e procesit dhe sigurinë e dëshmitarëve” – thuhet në komunikatën e Dhomave të Specializuara.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në këtë LINK.