FOTO - Aksioni në veri të Mitrovicës - 24.10.2019

Prokuroria merr vendim për tre policët e arrestuar në aksionin e sotëm në veri

Aksioni i sotëm në veri të Mitrovicës i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale ka përfunduar me arrestimin e tre zyrtarëve të lartë të Policisë.

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se Hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë përfunduar intervistat me të dyshuarit e arrestuar sot në orët e hershme të mëngjesit në Mitrovicën e Veriut me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Krim i organizuar” dhe  “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”.

Sipas njoftimit zyrtarëve të arrestuar, togerit policor Z. R., rreshterit N. G., dhe zyrtarit policor L. V.,  me vendim të prokurorit kompetent u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Inspektorati Policor i Kosovës mëngjesin e sotëm ka njoftuar se kanë arrestuar në Mitrovicën e Veriut tre zyrtarë policorë.

“Operacioni i sotshëm që u zhvillua me urdhëresë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është vazhdimësi e operacionit të zhvilluar në muajin maj të këtij vitit të koduar me emrin Kontrabanda”, thuhej në njoftimin e IPK-së.

Me tri arrestimet e sotshme, gjithsej numri i zyrtarëve policorë të arrestuar gjatë këtij operacioni ka shkuar në 25.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për aksionin e sotëm.

 

FOTO nga aksioni i IPK-së në veri – 24.10.2019

 

Aksioni i Policisë ne veri, pesë të arrestuar deri më tani – Pamje

.